Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria synon të shesë energji të rinovueshme në vendet e Bashkimit Europian, përmes një projekti të përbashkët strategjik me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Deklarata u bë gjatë pjesëmarrjes së tij në panelin e Samitit të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dabi.
Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria prodhon aktualisht 100 për qind energji nga burime të ripërtëritshme dhe nuk përdor karburante fosile. Ai nënvizoi se për shkak të varësisë nga hidrocentralet, vendi është i ndjeshëm ndaj kushteve klimatike, çka në vitet me mungesë reshjesh e detyron të importojë energji.
Rama theksoi se vitet e fundit janë bërë investime të konsiderueshme në energjinë diellore dhe atë të erës, me synimin për të balancuar sistemin energjetik. Sipas tij, plani për pavarësinë energjetike po ecën mirë dhe objektivi është që deri në fund të vitit 2028 Shqipëria të mos ketë më nevojë të blejë energji nga jashtë.
Në këtë kuadër, ai bëri të ditur se bashkëpunimi trepalësh me Italinë dhe Emiratet synon krijimin e një baze të qëndrueshme energjetike në Shqipëri. Ambicia, sipas Ramës, është arritja e një kapaciteti prej 3 gigavatësh dhe, përmes kabllit ndërlidhës me Italinë, eksportimi i energjisë së gjelbër drejt tregut europian.