Rama: Shqipëria nën mbrojtjen e NATO-s, prioritet siguria e shqiptarëve në Lindjen e Mesme

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj zërave për një sulm të mundshëm iranian ndaj Shqipërisë, duke i cilësuar ato si spekulime të fabrikuara në mënyrë kriminale dhe të papërgjegjshme. Ai theksoi se vendi është anëtar i NATO-s dhe se çdo kërcënim ndaj tij do të trajtohej me të njëjtin mekanizëm reagimi si për çdo shtet tjetër të Aleancës.

Sipas Ramës, përhapja e lajmeve të tilla synon të krijojë klimë pasigurie dhe të ushqejë pritshmëri të kota për destabilizim politik. Ai deklaroi se Shqipëria gëzon mbrojtjen kolektive të NATO-s, duke kujtuar reagimin e shpejtë të Aleancës në rastin e Turqisë, kur u ndërhy menjëherë pas një rakete të ardhur nga Irani.

Kreu i qeverisë u shpreh se i vetmi ndikim real për Shqipërinë nga zhvillimet në Lindjen e Mesme lidhet me pasojat politike dhe humane të konfliktit, jo me kërcënime të drejtpërdrejta ushtarake. Ai nënvizoi se prioritet mbetet siguria e qytetarëve shqiptarë që ndodhen në vendet e prekura nga tensionet.

Sipas tij, përfaqësitë diplomatike dhe konsullore shqiptare në rajon janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet vendase dhe me institucionet në Tiranë, duke monitoruar situatën dhe duke ofruar asistencë për qytetarët. Rama pranoi se çështja e fluturimeve paraqet sfida, në kushtet e përshkallëzimit të situatës së sigurisë.

Në vijim të debatit publik mbi këtë çështje, ai do të paraqitet në një seancë dëgjimore në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit më 9 mars, me kërkesë të deputetëve të opozitës.

Gjatë komunikimit të tij, Kryeministri u ndal edhe te pjesëmarrja e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin, që këtë vit shënoi 60-vjetorin. Ai theksoi se vendi u ftua sërish si destinacion i vendosur në piedestal, duke u prezantuar nga 3 deri më 5 mars me konceptin “Albania All Senses”, si një destinacion autentik mesdhetar.

Rama vlerësoi progresin e bërë në sektorin e turizmit gjatë viteve të fundit, duke përmendur natyrën, trashëgiminë kulturore, historinë dhe përvojat autentike si elemente që e kanë forcuar pozicionin e Shqipërisë në industrinë ndërkombëtare të turizmit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033