Rama: “Sa më shumë të na sulmojnë, aq më shumë do të ecim përpara”

Tiranë – Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar Rinor të Partisë Socialiste, dha një mesazh të fortë për të rinjtë socialistë, duke iu referuar kritikave dhe thirrjeve për largimin e PS-së nga pushteti.

Rama u shpreh se do të ketë gjithmonë zëra që do të kërkojnë largimin e Partisë Socialiste, por theksoi se përgjigja duhet të jetë vendosmëria për të ecur përpara.

“Do ju thonë se ka ardhur koha që Partia Socialiste të largohet. Ju duhet t’u thoni se sa më shumë të na lehin nga pas, aq më shumë do të ecim përpara”, deklaroi ai, duke nënvizuar se PS është forca politike që ka shansin historik për të ndërtuar një shtet të së drejtës, pavarësisht sfidave dhe kundërshtive.

Ai vijoi duke theksuar se rruga e reformave dhe ndryshimeve ka kosto dhe dhimbje, por për PS-në nuk ka rrugë tjetër veçse ajo e përparimit. “Ne do të ecim vetëm përpara dhe sa më shumë të na sulmojnë, aq më shumë do të ngjitemi lart”, tha ai.

Në fjalën e tij, Rama e cilësoi Partinë Socialiste si forcën politike që garanton stabilitet dhe zhvillim për vendin, duke inkurajuar të rinjtë të angazhohen aktivisht në jetën politike dhe shoqërore.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur klima politike në vend mbetet e tensionuar, me opozitën që vijon të kërkojë rotacionin politik dhe zgjedhje të reja. Megjithatë, Rama e bëri të qartë se PS mbetet e vendosur në kursin e saj politik, duke sfiduar kundërshtarët me mesazhe të forta mobilizimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera