Kryeministri Edi Rama mblodhi mëngjesin e kësaj të premteje komitetin ndërministror të Emergjencave Civile në godinën e qeverisë për të paraqitur bilancin e pasojave nga përmbytjet që kanë goditur vendin.
Rama theksoi se për situatën në 7 qarqe, ai nuk gjen asnjë përgjegjësi te mosfunksionimi i strukturave shtetërore apo ndërhyrjet pa kriter, duke ia faturuar përgjegjësinë motit dhe papërgjegjshmërisë së qytetarëve.
Në mbledhje, kryeministri refuzoi kërkesën e Partisë Demokratike për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por premtoi dëmshpërblim për të gjitha familjet që janë prekur nga përmbytjet.
Rama e pranoi se ka pasur mundësi të dëgjojë edhe retorikën e kundërshtarëve, por theksoi se reshjet që kanë rënë deri tani janë më shumë se mesatarja e zakonshme për këtë periudhë. Ai kërkoi nga komiteti që të qëndrojnë të mobilizuar për të menaxhuar pasojat.