Kryeministri Edi Rama ka theksuar se ai dhe Partia Socialiste (PS) janë garantuesit e vetëm për mbijetesën e Reformës në Drejtësi në Shqipëri, duke siguruar që ky proces do të vazhdojë në të ardhmen.
Gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, Rama ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me tërheqjen e mbështetjes nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK-un.
Kryeministri u shpreh se ndërprerja e financimeve për disa projekte që mbështetnin Prokurorinë e Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) është një hap i rëndësishëm që vjen si pasojë e tërheqjes së SHBA-së. “SPAK-u është i Kushtetutës dhe Reformës në Drejtësi. Reforma e kam bërë unë me PS dhe e garantoj unë”, ka deklaruar ai. Sipas Ramës, nëse SHBA do të kishte qenë përgjegjës për krijimin e SPAK, do ta kishte tërhequr edhe këtë strukturë pas largimit të saj nga mbështetja.
Rama ka vazhduar të theksojë se Partia Socialiste është e vetmja forcë që mund të sigurojë vijimësinë e SPAK dhe përparimin e Reformës në Drejtësi, duke përmendur se nuk ka asnjë mundësi që këto institucione të dështojnë, përderisa PS është në pushtet. “Në kushtet e kësaj lufte që i bëhet SPAK nga ‘keneta’ dhe ‘Bufi plak’ i saj, vetëm PS mund ta mbajë gjallë këtë reformë”, tha ai.
Në lidhje me sfidat që ka hasur SPAK, Rama theksoi se struktura e re e drejtësisë, megjithë problemet e brendshme, ka krijuar një vetëbesim të madh në pavarësinë e saj. “Askush nuk mund të thotë sot se unë kapa dhe kontrolloj SPAK-un”, tha ai, duke siguruar që ky institucion ka mundësinë të zhvillohet më tej. Megjithatë, ai theksoi se sfida më e madhe mbetet që pavarësia e SPAK të shërbejë si një garanci për profesionalizmin dhe standardet demokratike të sistemit të drejtësisë.
Në fund, Rama ka shpjeguar se synimi i tij për vitin 2025 është krijimi i një sistemi drejtësie që është i drejtë dhe i barabartë për të gjithë qytetarët. “Ne nuk duam një sistem drejtësie që është i pavarur por i njëanshëm dhe jo profesional”, përfundoi ai, duke përmendur gjithashtu se, pavarësisht sfidave dhe kostove të kësaj reforme, ky është vetëm hapi i parë dhe do të vazhdojë të përmirësohet.