Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT), ku janë shpallur masa sigurie për një grup prej 24 personash.
Rama ka dhënë një deklaratë gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku i ftuar ishte edhe rektori i UBT-së, Fatbardh Sallaku.
Kryeministri theksoi se ky universitet po kalon një periudhë të rëndësishme historike, duke nënvizuar bashkëpunimin me një nga universitetet më të vjetra të botës, dhe se ky partneritet është kyç për të ardhmen e institucionit. Ai e cilësoi të papranueshëm nxitimin për të shpallur në masë sigurie 24 persona, duke ngritur pyetje mbi pasojat që ky veprim mund të ketë për imazhin e universitetit dhe për marrëdhëniet me partnerët austriakë.
“24 persona nën hetim është një numër shumë i madh, sidomos për një çështje që nuk ka asnjë lloj flagrancë,” u shpreh Rama, duke shtuar se ky veprim mund të krijojë një perceptim të keq tek partnerët ndërkombëtarë të universitetit. Kryeministri theksoi se shqetësimi kryesor nuk është se sa të fajshëm janë individët, por mënyra si është trajtuar kjo çështje në publik.
Megjithatë, Rama theksoi se nuk është në mbrojtje të askujt që ka abuzuar, duke i bërë thirrje autoriteteve për të pasur kujdes në trajtimin e kësaj ngjarjeje. “Ne nuk jemi këtu për të mbrojtur ata që kanë bërë gabime, por gjithashtu duhet të kemi kujdes që të mos krijojmë një perceptim të gabuar për situatën,” tha ai.
Ky reagim i kryeministrit vjen në një kohë kur akuzat dhe hetimet ndaj stafit të UBT-së kanë shkaktuar shqetësime të mëdha, jo vetëm brenda vendit, por edhe në rrafshin ndërkombëtar. Partneriteti me universitetet austriake, sipas Ramës, mund të jetë i rrezikuar nëse këto akuzat vazhdojnë të shpallen dhe përhapen në publik.
Në fund, Rama apeloi për kujdes dhe maturi nga të gjitha institucionet për të menaxhuar me përgjegjësi këtë situatë dhe për të ruajtur imazhin e universitetit në nivelet më të larta.