Pas reagimit të BKH-së për incidentin e 20 nëntorit, ku disa hetues tentuan të hynin të armatosur në Kryeministri, kryeministri Edi Rama ka sqaruar publikisht se kritika e tij nuk kishte të bënte me armëmbajtjen, por me sjelljen e tyre profesionale.
Në një postim në rrjetin “X”, Rama i quajti hetuesit “trimosha” dhe tha se rasti në fjalë është vetëm një prej disa episodeve problematike që tregojnë mungesë etike dhe ligjore në veprimtarinë e tyre.
Sipas tij, BKH-ja ka cituar ligjin që u lejon mbajtjen e armëve, por ka lënë jashtë faktin se kërkuan të futeshin të armatosur në ambientet e Kryeministrisë, gjë që Rama e konsideron papërgjegjshmëri.
Kryeministri theksoi se sistemi i drejtësisë duhet mbrojtur, por paralajmëroi se nuk mund të lejohet që “kura të kthehet në rrezik më të madh se sëmundja”, duke cenuar liritë dhe funksionimin institucional.
Ai kërkoi një reflektim të thellë dhe ndërhyrje profesioniste për të ndarë “elementët problematikë” nga struktura e re e drejtësisë, në mënyrë që reforma të mos dëmtohet.


