Rama publikon pamje nga Shkozeti dhe lidh përmbytjet me ndotjen: Plehrat e hedhura në rrugë kthehen në bllokim kanalesh

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën e përmbytjeve dhe ndotjes mjedisore, duke publikuar pamje nga zona e Shkozetit, ku shfaqet grumbullimi i mbeturinave në hapësira të hapura dhe pranë rrugëve.

Në reagimin e tij publik, Rama e ka lidhur drejtpërdrejt ndotjen me pasojat e përmbytjeve, duke theksuar se hedhja e mbetjeve urbane dhe shisheve plastike në fusha dhe anë rrugësh krijon kushte për bllokimin e kanaleve kulluese, veçanërisht gjatë reshjeve të dendura.

“Sigurisht që kur i hedhim plehrat e shishet plastike nëpër fusha e në anët e rrugëve të atdheut që e duam vetëm në stadium, vjen një ditë shiu me gjyma që i mbledh nga janë e nga s’janë dhe i dynd në det, po kur pastaj shiu është aq i furishëm sa ky i fundit, atëherë nuk e arrijnë dot detin si zakonisht sepse gryka e kanalit taposet krejt, duke përmbytur dynjanë…”, shkruan Rama.

Pamjet e publikuara tregojnë një situatë të rënduar mjedisore në Shkozet, një nga zonat e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit, ku mbeturinat e hedhura në mënyrë të pakontrolluar kanë bllokuar rrjedhjen normale të ujërave.

Reagimi i kryeministrit vjen në një kohë kur vendi po përballet me pasoja të shumta nga reshjet intensive të shiut, ndërsa autoritetet dhe strukturat e emergjencave vijojnë punën në terren për menaxhimin e situatës dhe pastrimin e zonave problematike.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033