Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj kërkesës së Dhomës Amerikane të Tregtisë për rishikimin e tenderit të projektit të Porto Romanos, duke deklaruar se projekti do të realizohet pavarësisht kundërshtimeve.
Gjatë fjalës së tij para grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama e cilësoi Porto Romanon si një nga proceset më komplekse të ndërmarra nga qeveria.
“Është një nga proceset më të ndërlikuara që ne kemi bërë. Është një plan strategjik që ka krijuar edhe xhelozi. Xhelozitë janë të zakonshme mes vendeve që janë në stade të caktuara zhvillimi”, u shpreh ai.
Kreu i qeverisë theksoi se projekti është hartuar me përfshirjen e një studioje ndërkombëtare me reputacion të lartë dhe se gara është zhvilluar me pjesëmarrje të gjerë, nën monitorimin e konsulentit Royal Haskoning.
“Nuk do flas gjatë, por një gjë do ta them: Ata që e luftojnë projektin, ata që nuk po lënë gurë pa luajtur për ta bllokuar projektin, dhe ne i dimë kush janë, i kanë bërë llogaritë gabim sepse projekti do bëhet”, deklaroi Rama.
Në fund, ai përdori një formulim simbolik për të theksuar vendosmërinë e tij: “Unë nuk kam plan B vetëm për Bashkimin Evropian, për çdo gjë tjetër jam te C.”