Pas një mbledhjeje maratonë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka prezantuar 7 ndryshime në kabinetin qeveritar.
Në pritje të zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Belinda Ballukun, e cila la në fuqi pezullimin e saj nga detyra, Rama ka vendosur ta largojë nga postet e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës.
Në vend të saj si numri dy i Qeverisë është emëruar Albana Koçiu, e cila largohet nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme.
Postin e ministrit të Brendshëm e merr Besfort Lamallari, i cili largohet nga Ministria e Drejtësisë. Detyrën e ministrit të Drejtësisë e merr Toni Gogu.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës i është besuar Enea Karakaçit.
Ndërkohë, Erjona Ismaili është emëruar ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke zëvendësuar Toni Gogun në këtë funksion.
Nga kabineti largohen Elisa Spiropali si ministre e Jashtme dhe Pirro Vengu si ministër i Mbrojtjes.
Si ministër i Jashtëm është emëruar ish-ambasadori i Shqipërisë në BE, Ferit Hoxha, ndërsa si ministër i Mbrojtjes është emëruar Ermal Nufi.