Rama përuron konviktet e reja në “Qytet Studenti”: Shqipëria, histori suksesi

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, morën pjesë sot në përurimin e godinave 16 dhe 17 në “Qytetin Studenti”.

Këto ambiente të rikonstruktuara ofrojnë kushte moderne për studentët, duke përfshirë dhoma të rinovuara, salla leximi, internet falas dhe sisteme me efikasitet energjetik.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama theksoi se këto konvikte mund të krahasohen me strukturat më të mira në Europë. Sipas tij, projektet e qeverisë për përmirësimin e infrastrukturës studentore po ecin me ritme të shpejta, pavarësisht sfidave dhe kohës së nevojshme për realizimin e tyre.

“Gjërat nuk arrihen sa hap e mbyll sytë, jo si komentet në rrjetet sociale apo deklaratat në televizion. Kemi bërë një rikonstruksion me shpejtësi për një numër godinash dhe do të vazhdojmë më tej,” deklaroi Rama.

Ai shtoi se objektivi është që studentët shqiptarë të kenë kushte sa më të mira, të krahasueshme me ato të Bashkimit Europian. “Ka konvikte edhe në Paris e Londër ku në një dhomë qëndrojnë katër studentë. Ndërsa këtu, çdo dhomë ka dushin e vet,” u shpreh kryeministri, duke nënvizuar se investimet synojnë të ofrojnë zgjidhje afatgjata.

Gjatë ceremonisë u theksua edhe ndërtimi i Kolegjit të Europës në të njëjtën zonë, një projekt që synon të forcojë rolin e Shqipërisë në fushën akademike dhe integrimin e saj në sistemin arsimor europian.

Rama e cilësoi Shqipërinë si një “histori suksesi” dhe kritikoi ata që, sipas tij, mohojnë arritjet e vendit vetëm për arsye politike. “Është për të ardhur keq që disa nuk duan ta pranojnë këtë sukses, pavarësisht se Shqipëria është vendi i përbashkët i të gjithëve,” tha ai.

Ndërkohë, investimet në arsimin e lartë pritet të vijojnë, me qeverinë që ka premtuar më shumë projekte për përmirësimin e kushteve të studentëve në vitet në vijim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera