Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që hoqi pezullimin ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe vendosi që çështja të shqyrtohet në themel në fund të janarit. Sipas Ramës, vendimi shmangu një precedent të paprecedentë dhe korrigjoi një ndërhyrje të gabuar të prokurorit dhe gjykatësit, të cilët ai i akuzoi se kanë tentuar të uzurpojnë kompetencat e pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ.
Rama e përshkroi pezullimin si një akt “antikushtetues dhe antidemokratik”, që sipas tij goditi funksionimin e shtetit. Ai tha se rasti duhet të nxisë reflektim të thellë institucional, duke paralajmëruar se ushtrimi i pavarësisë së drejtësisë nuk duhet të shndërrohet në papërgjegjshmëri që rrezikon liritë dhe të drejtat e qytetarëve.
Në fjalën e tij, Kryeministri u ndal edhe te kërkesa e shoqatave të gjyqtarëve për rritjen e pagave me vendim gjykate, duke e cilësuar këtë si përpjekje për të marrë kompetencat e qeverisë dhe Parlamentit. Ai kritikoi faktin që gjyqtarët synojnë rritje pagash deri në 1600 euro për gjykatat dhe prokuroritë e zakonshme, si dhe deri në 3100 euro për strukturat speciale, duke paralajmëruar se kjo qasje është e papranueshme.
Rama përmendi edhe episode të tjera, duke përfshirë një rast me efektivë të BKH-së që, sipas tij, nuk kanë respektuar rregullat e sigurisë në institucionet shtetërore. Ai theksoi se pavarësia e drejtësisë është një arritje historike që duhet mbrojtur, por paralelisht duhet garantuar që reforma të mos kthehet në problem më të madh se ai që synon të zgjidhë.


