Rama për mosdeklarimin e pagave bizneseve: “Mos provokoni shtetin.”

Kryeministri Edi Rama ka theksuar sot rëndësinë e luftës kundër informalitetit të pagave, duke e quajtur atë një “armik” për pensionet dhe për pensionistët.

Gjatë një takimi me strukturat tatimore, ku u prezantua plani për luftën ndaj informalitetit, Rama tha se është e domosdoshme të bëhet një informim i plotë dhe i detajuar mbi çështjen e pensioneve.

Ai nënvizoi se kjo është dita e tretë e diskutimeve publike mbi pensionet, të cilat kanë për qëllim të informojnë jo vetëm pensionistët, por edhe gjithë shoqërinë. “Është e rëndësishme të kuptohet se sa komplekse është çështja e administrimit të pensioneve dhe vështirësitë që hasim për të përmbushur dëshirën për rritjen e tyre”, tha ai.

Rama theksoi gjithashtu se për një përparim të suksesshëm në këtë fushë, është i nevojshëm një bashkëpunim i gjerë midis qeverisë, kompanive dhe individëve. “Sigurimet shoqërore, nga të cilat burojnë fondet e pensioneve, nuk janë thjesht një detyrim ligjor, por edhe moral”, shtoi ai.

Sipas kryeministrit, sigurimet shoqërore janë prioriteti kryesor për këdo që merr një pagë, dhe këto fonde shkojnë drejtpërdrejt te ata që përfitojnë pensione. Ai përfundoi duke shpjeguar se Institucioni i Sigurimeve Shoqërore nuk është si institucionet e tjera buxhetore apo fitimprurëse, por garanton transferimin e fondeve nga ata që punojnë, te ata që janë në pension.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera