Rama për “Corriere della Sera”: Integrimi në BE, mandati i katërt dhe sfidat e vitit 2025

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetën italiane Corriere della Sera, ku ka trajtuar tema kyçe si integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, kandidimi për një mandat të katërt dhe sfidat globale e kombëtare që shoqërojnë vitin 2025.

Rama e përshkroi vitin 2024 si një vit shprese për Shqipërinë, duke theksuar nisjen e negociatave për anëtarësim në BE. “Pas një rrugëtimi të gjatë reformash, më në fund kemi arritur të ulemi në tryezën e negociatave, një arritje që për ne është si të shohim tokën pas një udhëtimi të gjatë në det të hapur,” tha ai.

I pyetur për një afat kohor për anëtarësimin në BE, Rama u përgjigj me diplomaci: “Nuk jam profet. Shpresoj në vitin 2030.” Megjithatë, ai vuri në dukje se sfidat mbeten të mëdha dhe kërkojnë përpjekje të vazhdueshme për të transformuar Shqipërinë në një vend ku e ardhmja nuk pengohet nga e kaluara.

Në lidhje me kandidimin për mandatin e katërt si kryeministër, Rama deklaroi se pret me përulësi votën e qytetarëve. “Do të mirëpres vendimin e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme, pasi vetëm vota e tyre ka rëndësi,” tha ai. I pyetur për pasuesin e tij, Rama shpjegoi me humor se dëshira e tij është për një jetë të qetë, larg zhurmës politike. “Me lejen e Zotit dhe të shëndetit, shpresoj për një jetë me një celular që merr pak mesazhe.”

Kryeministri u ndal gjithashtu tek marrëdhëniet ndërkombëtare, duke përmendur raportet e ngushta me homologët italianë dhe përballjen me sfida globale si emigracioni dhe tensionet gjeopolitike. Për zgjedhjen e Donald Trump si president të SHBA-së, Rama u shpreh se nuk ishte i befasuar dhe e përshkroi si një sinjal për Evropën që të zgjohet dhe të përballet me të ardhmen.

Duke folur për sfidat e brendshme, Rama theksoi se Shqipëria duhet të vijojë reformat për të përmbushur standardet e BE-së. “Gjithçka që bëjmë duhet të na çojë drejt hapit historik të anëtarësimit në Bashkimin Europian,” tha ai, duke shtuar se objektivi është të ndërtohet një Shqipëri më e fortë dhe e drejtë.

Në fund të intervistës, Rama ndau një dëshirë për vitin 2025: përfundimin e luftës në Ukrainë. “Kjo do të ishte arritja më e madhe për botën në këtë periudhë,” përfundoi ai.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera