Rama: PD shndërrohet në “Kënetë”, i përmend speciet më të ulëta të politikës

Kreu i qeverisë, Edi Rama, gjatë qëndrimit të tij në Berlin për Panairin e Turizmit, ku Shqipëria po merr pjesë si vend nderi, ka komentuar me tone të ashpra zhvillimet politike në vend.

Në një lidhje live në Facebook, Rama ka theksuar se vota e shqiptarëve në zgjedhjet e 11 majit është vendimtare për të ardhmen e vendit në Bashkimin Evropian. Sipas tij, kjo datë do të përcaktojë nëse Shqipëria do të arrijë të bëhet pjesë e BE deri në vitin 2030, ose do të “kthehet pas” në një situatë të vështirë, që ai e përshkroi si një “kënetë”.

Në lidhje me zhvillimet politike dhe koalicionin e ri të opozitës, Rama ka akuzuar Partinë Demokratike për transformimin e saj në një forcë të dobët dhe të fragmentuar. Pas dorëzimit të kërkesës për regjistrimin e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, që përfshin 26 parti politike, kryeministri theksoi se kjo është një shenjë e një organizimi politik që po përballet me krizë dhe që e ka humbur besimin dhe mbështetje popullore. Ai e përshkroi këtë koalicion si një “kënetë me një buf”, duke aluduar për mungesën e forcës dhe unitetit të PD-së.

Rama nuk ngurroi të shprehë kritika të forta edhe për listat e mbyllura të opozitës. Ai tha se këto lista do të jenë një dëshmi më shumë e “specieve më të ulëta të politikës” dhe i paralajmëroi qytetarët se do të shohin një përzierje të personazheve të pabesueshëm që nuk kanë asnjë lidhje me politikën e përgjegjshme. Sipas tij, qytetarët duhet të përqendrohen tek këto lista dhe të kuptojnë se ky është një hap që i çon shqiptarët drejt një të ardhmeje të pasigurt.

Ai e mbylli mesazhin e tij me një paralajmërim për opozitën: “Na ishte njëherë PD… Nuk është më!” Kjo deklaratë thekson se PD ka humbur shansin për t’u rikthyer në një forcë relevante politike dhe se ajo është tashmë vetëm një hije e vetes. Për Rama, opozita është në një gjendje të rëndë, dhe do të ishte më mirë për shqiptarët të mbështesin një qeveri që e sheh të ardhmen e vendit brenda Bashkimit Evropian, sesa të zhyten në kaos dhe pasiguri.

Në këtë kontekst, ai ka kërkuar që qytetarët të mos bien pre e “kënetës” që, sipas tij, po ofron opozita, por të bëjnë zgjedhjen e duhur për Shqipërinë 2030, të ardhmen e saj në BE.

Ndaj Postimin: