Rama pas protestës: PD ka institucionalizuar dhunën si mjet politik

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas protestës së djeshme të thirrur nga Sali Berisha në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.

Sipas Ramës, protesta përpara Kryeministrisë dhe më pas përpara Kuvendit u karakterizua nga hedhja e molotovëve, fishekzjarreve dhe akte vandalizmi ndaj institucioneve shtetërore. Si pasojë e këtyre veprimeve, të paktën 11 efektivë policie u plagosën dhe u transportuan për mjekim në Spitalin e Traumës.

Në reagimin e tij publik, Rama e cilësoi Partinë Demokratike si një rast të paprecedentë në Europë.

“Ka vetëm një parti parlamentare në Europë që e ka ushtrimin e dhunës pjesë të pandarë të ekzistencës së saj, që nga lindja e deri më sot,” shkruan Rama, duke akuzuar PD-në për mobilizim të grupeve paramilitare dhe përdorim të dhunës si mjet politik.

Ai shton se protestat e zhvilluara janë shndërruar, sipas tij, në akte destruktive që dëmtojnë rendin publik, institucionet dhe jetën qytetare, duke theksuar se përgjegjësia politike për këtë situatë i përket lidershipit të opozitës.

Në përfundim, kryeministri shprehu solidaritet me punonjësit e Policisë së Shtetit të lënduar gjatë protestës dhe deklaroi se institucionet do të vijojnë veprimet për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033