Rama paralajmëron riorganizim të PS dhe zgjedhje të brendshme: Fokus te terreni dhe çmimet

Kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi Kryesinë e forcës politike që drejton në një takim që zgjati rreth 30 minuta. Deputetët dhe drejtuesit socialistë u mblodhën në selinë e partisë, ku dëgjuan orientimet dhe kërkesat e kryeministrit.

Gjatë mbledhjes, Rama u ndal kryesisht te çështjet organizative dhe te nevoja për riorganizim të strukturave në qarqe. Po ashtu, u diskutua edhe për caktimin e datës së Asamblesë së Partisë Socialiste. Në kuadër të këtij procesi, mësohet se këtë vit pritet të zhvillohen zgjedhje të brendshme në parti. Kryeministri njoftoi se në ditët në vijim do të nisë një dialog me anëtarët dhe simpatizantët socialistë.

Rama u ka kërkuar deputetëve që të dalin në terren dhe të zhvillojnë takime me qytetarët, me qëllim identifikimin e shqetësimeve të tyre. Një vëmendje e veçantë iu kushtua situatës ndërkombëtare, veçanërisht konfliktit në Lindjen e Mesme. Kryeministri kërkoi vigjilencë ndaj rritjes së mundshme të çmimeve si pasojë e përshkallëzimit të luftës, duke theksuar se nuk duhet lejuar asnjë abuzim që të rëndojë mbi qytetarët. Deputetët u porositën të jenë “sy e veshë” për të parandaluar çdo ndikim negativ në ekonomi dhe në jetën e përditshme të njerëzve.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033