Rama njofton se Liqeni i Shkodrës pritet të futet në listën e biosferave të UNESCO-s

Liqeni i Shkodrës, që njihet si liqeni më i madh në Ballkan dhe shtrihet në territorin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, mund të marrë së shpejti statusin e zonës së biosferës të mbrojtur nga UNESCO. Kryeministri Edi Rama, duke ndarë një video nga ky ekosistem i rrallë, bëri të ditur se procesi po ecën drejt finalizimit.

Në mesazhin e tij, Rama u ndal edhe te fauna karakteristike e liqenit, duke përmendur pelikanin dalmat, një specie e rrallë që ka gjetur strehë në këtë habitat. Sipas tij, përfshirja e liqenit në listën e UNESCO-s do të ishte një arritje e madhe për Shqipërinë dhe një shtysë për mbrojtjen e natyrës.

Marrja e këtij statusi do të forconte pozicionin e Shqipërisë në politikat mjedisore ndërkombëtare dhe do të sillte përfitime për komunitetet lokale, duke nxitur përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe menaxhimin e përbashkët të ekosistemit me Malin e Zi.

Ky lajm vjen menjëherë pas një arritjeje tjetër në fushën e trashëgimisë kulturore, pasi lahuta shqiptare u regjistrua në listën e UNESCO-s si pasuri jomateriale që kërkon mbrojtje të menjëhershme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033