Rama njofton rihapjen e TikTok në Shqipëri: Nuk do ta zgjasim ndalimin, kemi arritur partneritet me platformën

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se rrjeti social TikTok do të rihapet dhe do të jetë sërish i aksesueshëm në Shqipëri, duke bërë të ditur se qeveria nuk do ta zgjasë më tej ndalimin e vendosur më herët.

Në një intervistë për Politico, Rama deklaroi se qeveria shqiptare ka arritur një partneritet me platformën dhe se së shpejti do të prezantohen masat e reja mbrojtëse për përdoruesit shqiptarë. “Jemi të kënaqur me rezultatin. E kemi bërë partneritetin dhe shpresoj që në javët ose muajt në vijim do t’ia zbulojmë planin popullit shqiptar, siç e premtuam”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi se ishte i befasuar nga reagimi i drejtuesve të TikTok pas vendimit fillestar për ndalimin e platformës në Shqipëri. Sipas tij, pritshmëritë ishin që kompania të kundërshtonte fort masën e marrë nga qeveria shqiptare.

“Sepse në fillim, për shkak se ishte normale të mendonim se ata do të na luftonin, do të hakmerreshin ndaj nesh dhe do të na ngacmonin. I takova vetë dhe mbeta shumë i impresionuar nga qëndrimi i tyre. Ata po i dëgjonin me shumë kujdes pikat tona”, tha Rama.

Kryeministri bëri të ditur se detajet e marrëveshjes dhe masat konkrete që do të zbatohen në bashkëpunim me TikTok do të bëhen publike në vijim, ndërsa theksoi se qëllimi i qeverisë është garantimi i sigurisë dhe mbrojtjes së përdoruesve, veçanërisht të të rinjve.

Ndaj Postimin: