Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme që, nëse synon të luftojë korrupsionin, të hetojë procesin e privatizimit të katër hidrocentraleve gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike.
Gjatë një analize për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në periudhën kur drejtohej nga Belinda Balluku, Rama u ndal te privatizimi i hidrocentraleve Shkopet, Ulëz, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, duke e cilësuar atë një “privatizim kriminal”.
“Nga vdekja e Enver Hoxhës deri në largimin nga pushteti të sekretarit të partisë së tij në 2013, Shqipërisë nuk i është rritur asnjë megavat kapacitet prodhimi. Por ka ndodhur shkatërrimi total i sistemit të shpërndarjes dhe privatizimi kriminal i katër hidrocentraleve të ndërtuara, funksionale, si kthim TVSH-je”, deklaroi Rama.
Sipas tij, këto asete publike iu dhanë kompanisë KURUM, pasi qeveria e asaj kohe nuk i rimbursoi TVSH-në dhe zgjodhi t’i kompensojë me hidrocentralet.
“Në qoftë se duan korrupsion dhe duan të luftojnë korrupsionin, se krimin mesa duket nuk e kanë të lehtë ta luftojnë deri në fund përderisa nuk kanë fuqi të ngrenë akuzë për 21 janarin, të shkojnë të marrin dosjen e këtyre katër veprave të ndërtuara nga populli dhe që i takonin vetëm popullit. Iu dhanë një kompanie që nuk i kthehej TVSH-ja, ua llogaritën, i thanë ‘TVSH nuk ua kthejmë, por merrni këto hidrocentralet’”, u shpreh ai.
Rama përdori tone të ashpra ndaj përfaqësuesve të opozitës, duke thënë se “këta janë sot ata që vijnë vërdallë si qentë e pazarit, me flakë nëpër duar dhe me llapën jashtë”.