Rama në prezantimin e Giro d’Italia në Romë: “Shqipëria ishte si Koreja e Veriut, sporti italian na ndihmoi të shihnim botën”

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në ceremoninë e prezantimit të Giro d’Italia në Romë, një ngjarje e njohur ndërkombëtarisht në botën e çiklizmit.

Ky vit është i veçantë për Shqipërinë, pasi vendi do të jetë pika e nisjes për këtë ngjarje prestigjioze. Në fjalën e tij, Rama ka shprehur emocionet dhe reflektimet për ndikimin e sportit italian në Shqipëri, gjatë viteve të izolimit.

Përpara të ftuarve të shumtë, Kryeministri bëri një batutë që e ndihmoi të krijonte një atmosferë të ngrohtë. “Ndihem këtu pak i veçantë, sepse mendoj se jam i vetmi që vozit vetëm biçikletën. Nuk di të ngas makinë apo ndonjë mjet tjetër. Jam 100% ‘green’,” tha ai, duke theksuar përkushtimin e tij ndaj një jetese më ekologjike dhe të shëndetshme.

Në fjalën e tij, Rama ka kujtuar vitet e izolimit të Shqipërisë, duke theksuar ndikimin që ka pasur sporti italian në jetën e popullit shqiptar. Ai e përshkroi Shqipërinë të izoluar si “Korenë e Veriut të Europës”, duke shtuar se për shumë vite, shqiptarët nuk kishin mundësi të dinin shumë për botën jashtë kufijve të vendit. “Deti ishte bosh dhe nuk mund të lëvizte askush. E vetmja mundësi për të parë botën tjetër ishte përmes radios ose televizionit,” shpjegoi Rama.

Rama shprehu një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për mundësinë që Shqipëria të jetë pjesë e këtij evenimenti të madh. “Sporti italian ka një influencë të veçantë te ne, jo vetëm për sportin, por për një jetë tjetër,” theksoi ai, duke shtuar se ngjarje si Giro d’Italia ishin ndër lidhjet e pakta me botën e jashtme gjatë periudhës së izolimit.

Ai kujtoi emocionet që përjetonin shqiptarët gjatë ndjekjes së Giro d’Italia, kur shumëkush nuk dinte asgjë të saktë për zhvillimet në garë, por megjithatë e ndoqën me pasion dhe entuziazëm. “Mbaj mend kur ndiqnim Giro d’Italia, bënim tifo pa ditur saktësisht se çfarë po ndodhte. Sporti italian na ka ndihmuar të jemi gjithmonë të vetëdijshëm se pas detit ka jetë, ka një botë tjetër,” tha ai, duke kujtuar periudhën kur ndjekja e sporteve italiane ishte një ngjarje e madhe për shqiptarët.

Në përfundim të fjalës, Rama shprehu mirënjohjen e tij për mundësinë historike që Shqipëria të jetë pjesë e këtij momenti. “Të jem sot këtu, duke e parë Shqipërinë të përfshirë, duket si një fabul, sepse flas për diçka që kam jetuar vetë, por edhe për atë që kam lexuar,” tha ai, duke reflektuar mbi rëndësinë e këtij momenti për vendin dhe për të gjithë shqiptarët.

Ky event i rëndësishëm për çiklizmin dhe Shqipërinë është një hap i madh përpara, duke i dhënë mundësinë vendit të shfaqë vlerat e tij në një skenë ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, prezantimi i Giro d’Italia është një simbol i hapjes së Shqipërisë për botën, si dhe një mundësi për të festuar të kaluarën dhe të tashmen e këtij vendi.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera