Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë ditën e hënë, më 9 shkurt, një takim në Bruksel me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Në qendër të bisedimeve pritet të jetë ecuria e procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Shqipëria ende nuk ka marrë Raportin e Vlerësimit të Standardeve për Reformimin e Gjyqësorit për kapitujt 23 dhe 24, i njohur si raporti IBAR. Pa miratimin e këtij raporti nga shtetet anëtare, procesi i mbylljes së grupkapitujve nuk mund të nisë.
Në diskutimet e deritanishme në nivel ambasadorësh është kërkuar paraqitja e provave konkrete që lidhen me dënimin me vendime përfundimtare të zyrtarëve të lartë, si dhe me sekuestrimin e pasurive të tyre.
Sipas metodologjisë së re të negociatave, në mungesë të këtyre elementeve, një shtet anëtar i Bashkimit Europian ka të drejtë të kërkojë rikthimin e procesit në pikën fillestare. Kapitujt 23 dhe 24, që lidhen me drejtësinë dhe të drejtat themelore, janë hapur të parët dhe parashikohet të mbyllen të fundit në procesin negociues.