Rama lëviz drejtuesit në Bashkinë e Tiranës mes tensioneve politike

Pas Vlorës e Durrësit, vala e shkarkimeve mbërrin në Tiranë, ku Rama heq Anuela Ristanin dhe paralajmëron një lidership të ri ekzekutiv për bashkinë.

Lëvizjet e forta në administratën vendore nuk kanë kursyer Bashkinë e Tiranës. Pas ndërhyrjeve në Vlorë e Durrës, këtë herë radha i ka ardhur kryeqytetit, ku Kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë masa drastike në drejtim të strukturave të larta bashkiake.

Gjatë një takimi me deputetë të qarkut dhe drejtues vendorë, Rama ka deklaruar se nënkryetarët aktualë të bashkisë do të zëvendësohen dhe është e nevojshme të gjenden figura të reja që do të marrin në dorë drejtimin e sektorëve të ndryshëm.

Burime nga brenda Bashkisë konfirmojnë se ndër të shkarkuarit është edhe Anuela Ristani, nënkryetarja ekzekutive, e emëruar vetëm pak muaj më parë. Vendimi u bë i ditur në prani të përfaqësuesve politikë të Partisë Socialiste në Tiranë.

Ndërkohë, Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, prej ditësh po zhvillon intervista me drejtorë të ndryshëm të bashkisë, në një proces të drejtpërdrejtë që përjashton pjesëmarrjen e Ristanit, por jo të Sekretarit të Përgjithshëm.

Kryeministri Rama ka vlerësuar punën e disa sektorëve si Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Policia Bashkiake, megjithëse edhe këto struktura nuk kanë qenë pa probleme. Ai u shpreh se 83 mandatet e fituara nga PS janë një përgjegjësi e madhe që kërkojnë një qasje të re drejtimit vendor.

Në këtë drejtim, është ngritur një grup pune i përbërë nga ministrat Glendi Gonxhe, Petrit Malaj dhe Ogerta Manastirliu, të cilët do të propozojnë pesë emra për pozitat e reja nënkryetare të bashkisë. Deri më tani, nuk është caktuar ndonjë datë për zgjedhje të reja.

Për këto pozita, mund të rikandidojnë edhe drejtuesit aktualë, përfshirë Ristanin. Megjithatë, Rama ka theksuar se qeveria nuk mund të mbulojë mangësitë e pushtetit vendor dhe një lidership i ri është i domosdoshëm për të rikthyer drejtimin në terren, ndërkohë që kryetari aktual i bashkisë, Erion Veliaj, ndodhet në burg.

Ndaj Postimin: