Rama komenton zgjedhjen e Avokatit të Popullit: Endrit Shabani u mbështet si kandidaturë e opozitës

Kryeministri Edi Rama ka komentuar zgjedhjen e Endrit Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit, duke kritikuar qëndrimin e opozitës pas procesit të votimit në Kuvendin e Shqipërisë.

Gjatë podcastit “Flasim”, Rama u shpreh se opozita ndryshoi qëndrim pasi kandidatura e propozuar prej saj mori mbështetjen e mazhorancës. Ai tha se zgjedhja e Shabanit u bë duke respektuar parimin që Avokati i Popullit të vijë nga kandidaturat e opozitës, një praktikë që, sipas tij, është ndjekur edhe më parë.

Sipas kryeministrit, deputetët e opozitës kishin propozuar dhe firmosur kandidaturën e Endrit Shabanit, duke e përfshirë atë mes emrave zyrtarë për këtë funksion. Rama deklaroi se mazhoranca kishte bërë të qartë që në fillim se nuk do të paraqiste kandidaturë të sajën, por do të mbështeste një prej emrave të propozuar nga opozita.

Ai theksoi se, pavarësisht kritikave të mëparshme të Shabanit ndaj qeverisë dhe ndaj tij personalisht, mazhoranca vendosi ta mbështesë kandidaturën e tij, duke respektuar procedurën dhe parimin institucional. Rama shtoi se Partia Socialiste i kishte edhe votat e nevojshme për të zgjedhur një kandidat tjetër, por nuk e bëri këtë.

Në përfundim të komentit të tij, kryeministri kritikoi reagimet e mëvonshme të opozitës, duke i cilësuar si të pajustifikuara, ndërsa nënvizoi se procesi i zgjedhjes u zhvillua brenda rregullave dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.

Ndaj Postimin: