Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në përurimin e godinave 16 dhe 17 në “Qytetin Studenti”, një investim i ri që synon të përmirësojë kushtet e jetesës për studentët.
Projekti përfshin rikonstruksionin e konvikteve, duke garantuar ambiente moderne dhe më të përshtatshme për banorët e tyre.
Gjatë fjalës së tij, Rama nuk la pa thumbuar kritikët, duke i cilësuar ata si “shejtanët” që, sipas tij, veçse e motivojnë më shumë për të vijuar punën. “Shejtanët aty janë, por në rastin më të keq luajnë rolin e hudhrës që na mbajnë larg syrit të keq,” u shpreh ai, duke ironizuar opozitën dhe zërat kundërshtues.
Kryeministri theksoi se kritikat nuk e pengojnë qeverinë, por përkundrazi, e nxisin të punojë më shumë. “Në rastin më të mirë, na motivojnë 1 mijë herë më shumë që të bëjmë 1 mijë herë më shumë punë të mira dhe të jemi 1 mijë herë më kritikë me vetveten,” vijoi Rama.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur debati politik në vend mbetet i tensionuar, me opozitën që vijon të akuzojë qeverinë për keqmenaxhim dhe mungesë transparence në projekte të ndryshme.
Megjithatë, kreu i qeverisë u përqendrua te arritjet, duke vënë në dukje se investimet në infrastrukturën studentore janë dëshmi e përpjekjeve për të sjellë standarde më të mira në jetën akademike.
Në përurimin e konvikteve të reja ishin të pranishëm edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, si dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Projekti konsiderohet një hap i rëndësishëm për modernizimin e “Qytetit Studenti”, ndërsa qeveria ka premtuar investime të tjera në sektorin e arsimit.