Kryeministri Edi Rama e quajti Bashkimin Europian “një spital me 27 doktorë, sepse njëri u çmend”, duke iu referuar Britanisë së Madhe, ndërsa shigjetoi me humor ish-ministren britanike Suella Braverman për qëndrimet e saj ndaj emigrantëve shqiptarë.
Në panelin e organizuar nga “Chatham House” në Londër, me temë “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”, Rama u shfaq si zakonisht me një gjuhë ironike dhe batuta që ngjallën të qeshura në sallë. Ai theksoi se procesi i integrimit europian mbetet një kombinim i aspektit teknik dhe atij politik, por paralajmëroi se mbështetja politike nuk mund të vijë pa përmbushjen e kritereve teknike.
“Europa është një spital me 28 doktorë, por njëri u çmend – dhe ajo është Britania”, deklaroi Rama, duke iu referuar daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE. Me këtë krahasim, ai vuri në dukje se disa vende anëtare nuk kanë qenë gjithmonë mbështetëse të procesit të zgjerimit, ndërsa tani pretendojnë se Ballkani është “pararojë e integrimit”.
Rama shtoi me ironi se duhet kujdes me këto komplimente, pasi “të na quajnë pararendës mund të nxisë xhelozi në rajon”. Ai nënvizoi se pavarësisht pengesave, vendet e Ballkanit duhet të vazhdojnë rrugën drejt BE-së me seriozitet dhe bashkëpunim.
Në një moment tjetër, kreu i qeverisë shqiptare përmendi Suella Braverman, ish-ministre e Brendshme britanike, e cila në të kaluarën kishte bërë deklarata të ashpra për emigrantët shqiptarë. Me një ton thumbues, Rama tha: “Më kujtohet Suella Braverman me deklaratat për emigrantët e paligjshëm… ku është tani ajo? Nëse të mallkojnë shqiptarët, zhdukesh.”
Kryeministri përdori këtë shembull për të nënvizuar, sipas tij, se emigrantët shqiptarë u përdorën padrejtësisht si “kokë turku” në retorikën politike të Londrës gjatë periudhës së krizës me emigracionin pas Brexit. Ai shtoi se fushata anti-shqiptare ishte një shpërqendrim nga problemet e brendshme britanike.
Me këtë dalje, Rama jo vetëm që tërhoqi vëmendje në Londër, por tentoi edhe njëherë ta shesë imazhin e tij si një lider që ndërthur humorin me kritikat e drejtpërdrejta ndaj burokracisë europiane dhe qëndrimeve hipokrite të disa vendeve ndaj Ballkanit Perëndimor.