Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer batutat as këtë herë, duke ironizuar ish-kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të cilin e quajti me humor “ëmbëlsirë”.
Gjatë një komunikimi me qytetarët, Rama u përball me një koment që e pyeste nëse do t’u bënte shqiptarëve një tortë në Tiranë. Kryeministri e shfrytëzoi rastin për t’u tallur me Bashën, duke iu referuar një rasti kur ish-kreu i PD-së kishte bërë një tortë.
“Lul Bashën kemi pasur omëlsinë, ndaj jo rastësisht tortën e bëri Lul Basha. Nga të gjitha ato që tha, vetëm një tortë ka bërë,” u shpreh Rama, duke vijuar me ironi: “O Lul, ku je? Sa herë më kujtojnë ty, kam një nostalgji, një përvëlim.”
Batuta e Ramës vjen në një kohë kur Basha është tërhequr nga jeta aktive politike, pas përplasjeve të brendshme në Partinë Demokratike dhe dorëheqjes nga drejtimi i saj. Kryeministri e ka ironizuar shpesh herë Bashën, duke e konsideruar atë si një lider të dobët dhe pa ndikim në skenën politike.
Ironia e Ramës ndaj opozitës është një praktikë e njohur e tij, që shpesh ka sjellë reagime të forta nga kundërshtarët politikë, të cilët e akuzojnë se shmang debatet e vërteta përmes batutave dhe ironive.
Pavarësisht humorit të përdorur, deklaratat e tij mbeten një pjesë e strategjisë së komunikimit politik, ku sulmet ndaj opozitës vijnë shpesh të mbështjella me ironi dhe gjuhë metaforike.