Kryeministri vlerëson suksesin e Shqipërisë në raportin TALIS dhe paralajmëron mbështetje të re për mësuesit e rinj dhe teknologjinë arsimore.
Shqipëria është renditur mes vendeve me performancë të lartë në raportin ndërkombëtar TALIS të OECD-së, që mat cilësinë e mësimdhënies dhe të mësuesve në vendet anëtare dhe partnere. Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit zyrtar të raportit, vlerësoi se ky rezultat është një tregues i fortë i përkushtimit dhe profesionalizmit të mësuesve shqiptarë.
“Kemi dalë me një rezultat domethënës dhe pozitiv, duke u rreshtuar përkrah vendeve që nuk janë aspak të dorës së dytë,” u shpreh Rama, duke theksuar se arritja është meritë e mësuesve që mbajnë gjallë frymën e arsimit në çdo cep të vendit.
Sipas raportit, 85% e mësuesve shqiptarë e kanë zgjedhur mësimdhënien si një thirrje personale dhe jo thjesht si profesion. Kryeministri e cilësoi këtë shifër si dëshmi të pasionit dhe integritetit që karakterizon sistemin arsimor në vend. “Ndihemi krenarë për të gjithë mësuesit e Shqipërisë,” shtoi ai.
Në fjalën e tij, Rama foli edhe për nevojën urgjente të përshtatjes së arsimit me realitetin e ri teknologjik, duke nënvizuar domosdoshmërinë e integrimit të inteligjencës artificiale në procesin mësimor. “E ardhmja e shkollës shqiptare duhet të ndërtohet mbi përfshirjen e AI, që do ta bëjë mësimdhënien më interaktive dhe efektive,” tha ai.
Megjithatë, raporti TALIS ka nxjerrë edhe sfida që lidhen me motivimin e mësuesve të rinj. Rama pranoi se një pjesë e atyre nën 30 vjeç ndihen të mbingarkuar dhe të pambështetur, duke paralajmëruar rrezikun që disa mund të braktisin profesionin.
Kryeministri theksoi se qeveria po përgatit masa konkrete për të lehtësuar punën e mësuesve të rinj, përfshirë programe mentorimi dhe mbështetje profesionale. Ai theksoi se këto iniciativa synojnë jo vetëm të ruajnë stafin ekzistues, por edhe të rrisin standardet e mësimdhënies në të gjithë vendin.
Në mbyllje, Rama bëri thirrje për bashkëpunim midis institucioneve arsimore, qeverisë dhe vetë mësuesve, duke theksuar se “cilësia e arsimit është themeli i zhvillimit të Shqipërisë së së nesërmes.”


