Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur humorin për t’u drejtuar emigrantëve shqiptarë në Britaninë e Madhe, duke i ftuar të kthehen në Shqipëri. Mes një bisede të ngrohtë e me një ton miqësor, ai e ka vendosur fokusin te një element i thjeshtë por domethënës për shqiptarët: kafja.
“A pihet kafja në Angli siç pihet këtu?” ishte pyetja retorike e Ramës, e cila duket se nuk kërkon përgjigje, por thjesht të nxisë reflektim te shqiptarët që kanë vendosur të jetojnë jashtë vendit. Kryeministri e theksoi këtë duke vënë në dukje një përvojë të veçantë, që sipas tij nuk mund ta gjesh dot në asnjë vend tjetër të botës.
Rama ka theksuar se kur kthehesh në Shqipëri kupton atë që e bën vendin të pazëvendësueshëm. “Se ka një gjë këtu që nuk e gjen dot në asnjë vend tjetër, ajo gjëja që kam kuptuar unë kur jam kthyer e merrni vesh ju. Hajdeni mër, kthehuni mër,” u shpreh ai me një ton afektiv.
Kreu i qeverisë shqiptare gjithashtu apeloi me një mesazh që shkon përtej humorit, duke u bërë thirrje shqiptarëve të kthehen për të mirën e tyre dhe për të shijuar momentet e vogla por domethënëse, që vetëm Shqipëria mund t’i ofrojë. “Për hir të vetes, kthehuni të pini një kafe tamam, a pihet kafja në Angli më thuaj mua?!” ishte ftesa e tij drejtuar emigrantëve.
Në mënyrë simbolike, Rama krahasoi këtë përvojë me shijen e verës, duke ironizuar edhe një debat të fundit publik rreth verërave të shtrenjta. Ai tha se nuk konsumon verëra që kushtojnë 33 mijë euro, duke e konsideruar këtë si një “estradë”. Sipas tij, kënaqësia e vërtetë gjendet te shoqëria, sidomos me miq të huaj, kur verën e shijon thjesht e pa bujë.
Në një moment kur emigrimi drejt Britanisë së Madhe ka arritur shifra të larta, thirrja e kryeministrit për kthim dhe për të shijuar një kafe të mirë, më tepër se humor, përçon një mesazh të qartë: Shqipëria ka diçka të pazëvendësueshme për ata që janë larguar, diçka që nuk matet dot me para apo jetë luksoze, por me ndjenjën e përkatësisë dhe shijes së jetës në vendin e tyre.