Në episodin e radhës të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama u ul për të diskutuar me tre sipërmarrës që kishin marrë vendimin e rëndësishëm të investonin në Shqipëri pas një periudhe të gjatë emigracioni. Ata rrëfyen për përvojat e tyre dhe për sfidat që kaluan gjatë periudhës që jetuan jashtë, si dhe për arsyet që i çuan të riktheheshin në atdhe.
Skenografi Aleksandër Çifligu, i cili u largua nga Shqipëria për në Greqi, rrëfeu se si u bë pjesë e industrisë televizive atje dhe si ai vendim ndikoi në karrierën e tij. Pas disa vitesh, ai vendosi të kthehej në Shqipëri në vitin 2011. Ai tha se gjeti një Shqipëri më të zhvilluar dhe më të ndryshuar, duke e krahasuar atë me Shqipërinë e fëmijërisë që kishte lënë pas. Çifligu theksoi se dashuria e tij për skenografinë nisi që në moshën 14-vjeçare, duke u përfshirë në projekte televizive dhe filmike.
Një tjetër rrëfim i veçantë ishte ai i Besnikut, i cili emigrtoi në Greqi në vitin 1997. Pas disa viteve pune në sektorin e ndërtimit, Besniku e gjeti veten të lodhur nga betoni dhe vendosi të shiti kompanitë që kishte ngritur për të nisur një projekt të ri në Shqipëri, në fushën e bimëve medicinale. Ai u kthye në Divjakë, duke u angazhuar për të krijuar një rrjet fermerësh që merreshin me kultivimin e bimëve dhe certifikimin e tyre me standarde ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, Lola, e cila kishte jetuar për shumë vite jashtë Shqipërisë për shkak të kushteve ekonomike, tregoi për periudhën kur ajo dhe prindërit e saj emigruan në Greqi. Ajo theksoi se, pas një periudhe të gjatë pune me artizanatin, si dhe pas përpjekjeve për të balancuar biznesin dhe shëndetin e nënës së saj, vendosi të investonte më shumë në zhvillimin e biznesit dhe të hapte një dyqan në Shkodër. Pas një periudhe jashtë vendit, ajo u rikthye dhe tani ka vendosur të zhvillojë sektorin e turizmit në veri të Shqipërisë.
Për këta sipërmarrës, rikthimi në Shqipëri ka qenë një hap i rëndësishëm, duke sjellë me vete jo vetëm përvojë dhe njohuri, por edhe mundësi për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit. Çifligu, Besniku dhe Lola janë dëshmitarë të transformimeve që ka kaluar Shqipëria, të cilat i kanë frymëzuar ata të investojnë dhe të punojnë për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të mundësive për brezat e ardhshëm.