Rama dhe ministrja virtuale Diella mes akuzave për korrupsion

Rai3 publikon investigim për Shqipërinë, ku ish-zv.kryeministri Ahmetaj akuzon Ramën për lidhje me mafien, ndërsa Transparency International e rendit vendin ndër më të korruptuarit në rajon.

Emisioni investigativ Report i Rai3 ka publikuar dëshmi të forta mbi situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri. Arben Ahmetaj, ish-zëvendëskryeministër, deklaroi se Edi Rama ka toleruar kultivimin e kanabisit duke e justifikuar si ndihmë për ekonominë kombëtare. Ai shtoi se kishte kundërshtuar hapur këtë qasje, duke paralajmëruar se një vend nuk mund të ndërtojë zhvillimin mbi drogën.

Ahmetaj gjithashtu përmendi emrin e Ergys Agasit, një biznesmen nga Durrësi, si koordinatori i grupeve kriminale që sipas tij veprojnë me mbështetje politike. Ai deklaroi se mafia shqiptare përfiton tendera publikë, pastron paratë e ndërtimit dhe ndihmon në fushata elektorale, ndërkohë që sipas tij, Rama u kërkon të shmangin konfliktet për të ruajtur ekuilibrat.

Sipas Rai3, Agasi është djali i një ish-deputeti socialist dhe pronar i një kompanie logjistike e prodhimi duhani. Edhe pse nuk ka pasur dënime apo hetime ndaj tij, emri i tij është lidhur shpesh nga media me trafikantë droge si Xhevdet Troplini. Ahmetaj deklaroi se ka parë personalisht takime të Ramës me figura nga Durrësi, Elbasani e Dibra, të cilët i quajti “krerë të mafies shqiptare”.

Gazetarët e Report e pyetën kryeministrin për lidhjet me Agasin, por Rama shmangu përgjigjen direkte duke ironizuar median shqiptare. Ai u shpreh se për të, kritikat e Report janë më të pranueshme se ato të mediave vendase, të cilat i cilësoi të pabesueshme.

Raporti thekson gjithashtu se Transparency International e ka renditur Shqipërinë mes vendeve më të korruptuara në Ballkan, ndërsa Komisioni Europian ka deklaruar se reformat kundër korrupsionit kanë dhënë rezultate të kufizuara për shkak të dobësive të sistemit gjyqësor.

Në vijim, Report kujtoi se Shqipëria është kthyer në një terren të favorshëm jo vetëm për organizatat mafioze, por edhe për politikanë e ish-politikanë italianë që kërkojnë përfitime ekonomike. Sipas emisionit, kombinimi i korrupsionit të brendshëm dhe interesave të jashtme ka rritur ndikimin e grupeve të fuqishme mbi politikën shqiptare.

Ndaj Postimin: