Rama denoncon rrënimin, premton ringjallje europiane për UBT

Kryeministri Edi Rama shpalli në UBT planin për ta kthyer universitetin bujqësor në qendër rajonale ekselence deri në vitin 2030.

Kampusit të Universitetit Bujqësor të Tiranës iu rikthye sot vemendja politike. Rama prezantoi reformën që, sipas tij, do ta shndërrojë këtë institucion në laboratorin më të avancuar të bujqësisë në Ballkan.

Pjesë kyçe e vizionit mbetet partneriteti me universitetin prestigjioz austriak BOKU. “Synojmë që deri më 2030 UBT të bëhet antena rajonale e BOKU,” theksoi kreu i qeverisë, ndërsa kërkoi mbështetje akademike dhe financiare për projektin.

Kryeministri rikujtoi dy fazat historike të UBT‑së. “Në diktaturë ajo ishte vatër ekselence me akademikë të pakonkurrueshëm. Pastaj ra në rrënim, u braktis, u degradua para syve tanë,” deklaroi ai.

Ai rrëfeu një skenë tronditëse nga kampusi: “Për të shkuar në auditor duhej të kaloje mes tezgave të qofteve dhe të brendshmeve.” Sipas Ramës, ndërhyrjet e fundit i kanë larguar këto “pushtues”, duke hapur rrugë për rindërtim modern.

Rama kritikoi ata që “u larguan sapo menduan se epoka e autokombajnave kishte mbaruar dhe nisi koha e Mercedesëve të vjedhur”. Ai u bëri thirrje studentëve të rikthehen dhe të besojnë te ardhmëria e re bujqësore.

Në fund, kryeministri premtoi investime në laboratorë, fusha eksperimentale dhe programe shkëmbimi. “UBT do të kthehet në motor zhvillimi për ekonominë rurale dhe në burim dijesh për fermerët shqiptarë,” përfundoi Rama, duke lënë të hapur sfidën për realizimin e këtij vizioni brenda dekadës.

Ndaj Postimin: