Një raketë e lëshuar nga Jemeni drejt Izraelit u neutralizua nga forcat izraelite, ndërsa ministri Katz paralajmëroi një kundërpërgjigje të ashpër ndaj rebelëve Huthi.
Një tjetër episod lufte është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Lindjen e Mesme, ku Izraeli është vendosur sërish nën kërcënimin e raketave. Një raketë e lëshuar nga Jemeni është kapur në kohë nga sistemi mbrojtës ajror izraelit, pasi në disa zona, përfshirë Jerusalemin qendror, janë dëgjuar sirenat paralajmëruese për sulm ajror.
Forcat izraelite konfirmuan ndërhyrjen nëpërmjet një deklarate të shkurtër, duke bërë të ditur se raketa u asgjësua me sukses përpara se të shkaktonte dëme apo pasoja për popullsinë.
Pas incidentit, ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, doli me një reagim të ashpër. Ai akuzoi drejtpërdrejt Huthit – një grup i mbështetur nga Irani – si përgjegjës për sulmin, dhe deklaroi se Tel Avivi do të përgjigjet me forcë ndaj çdo akti armiqësor.
“Fati i Jemenit do të jetë njësoj si ai i Teheranit,” u shpreh ai, duke iu referuar ofensivës së muajit të kaluar, ku Izraeli deklaroi se kishte shënjestruar objektiva të rëndësishme të programit bërthamor dhe raketor iranian.
Ai shtoi se pas “goditjes së kokës së gjarprit në Teheran”, do të vijojnë veprimet hakmarrëse edhe ndaj Huthive në Jemen. Në deklaratën e tij, Katz theksoi se “kushdo që ngre dorën ndaj Izraelit, ajo dorë do të pritet”.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar i ndjek me shqetësim përshkallëzimin e këtyre akteve ushtarake që rrezikojnë stabilitetin në rajon.