Ra me makinë në përrua dhe u largua pa ndihmuar pasagjerin, arrestohet 24 vjeçari në Klos

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pas mesnate në fshatin Dars, në njësinë administrative Klos, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit, ndërsa dyshohet se pasagjeri është marrë nga rrjedha e ujit.

Sipas të dhënave, rreth orës 01:30, automjeti tip Audi me targa angleze, që drejtohej nga shtetasi A. L., 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, ka dalë nga rruga në afërsi të urës së fshatit Dars dhe ka përfunduar në përrua. Në mjet ndodhej edhe pasagjeri J. K., 30 vjeç, po nga Fullqeti, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit.

Nga veprimet hetimore rezulton se drejtuesi i mjetit është larguar nga vendngjarja pa njoftuar Policinë dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit që ndodhej në automjet në momentin e aksidentit. Pas identifikimit, 24 vjeçari është kapur dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë.

Gjatë procedurave, drejtuesi i mjetit iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se automjeti ishte drejtuar në gjendje të dehur.

Ndërkohë, polumbarët e RENEA, shërbimet e Policisë dhe forcat zjarrfikëse vijojnë kërkimet në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033