Qyteti i Gazës, dikur qendër kulturore e ekonomike, tani jeton në rrënoja, pa rend, me frikë nga ofensiva e re izraelite ndaj Hamasit.
Dy vjet më parë, jeta gumëzhinte në rrugët e Gazës. Shkollat ishin plot, tregjet zhurmonin nga blerësit dhe kafenetë buzë detit jepnin pak qetësi në një enklavë të rrethuar.
Qyteti ka histori mijëravjeçare, me shtresa civilizimesh dhe qindra site antike. Pas vitit 1948, ai u bë strehë për shumë palestinezë të zhvendosur dhe bart dëshmi të pandërprera të kaluarës së tij.
Kur Hamasi mori kontrollin në vitin 2007, Gaza City u shndërrua në kryeqendrën de facto të tij. Zgjedhja ishte e pritshme: nyje urbane, simbolike dhe politike.
Konfliktet e përsëritura, bllokada e rëndë dhe sundimi autokratik e vështirësuan jetën. Megjithatë, institucionet e ngritura nga Hamasi, ndihma e Katarit dhe sistemi i OKB-së krijuan një farë strukture.
Rrjeti nëntokësor i kontrabandës e lidhi qytetin me jashtë, pavarësisht bllokadës tokësore, ajrore dhe detare nga Izraeli e Egjipti, që e cilësojnë Hamasin si organizatë terroriste. Papërkundër papunësisë së lartë dhe patrullimeve të rrepta, mund të pije një latte matcha rrugës për në një studio joge, ose të shlodheshe në park.
Sot, ish-qendra kulturore e financiare e Rripit gjendet e shkatërruar pas muajsh sulmesh izraelite, të ndezura nga sulmi i Hamasit pothuaj dy vjet më parë. Ndërsa Izraeli planifikon një ofensivë të re për të goditur militantët e fshehur nën tokë, banorët rishohin frikën bazike: si të mbijetojnë.
Jeta e zakonshme u shemb pas kundërpërgjigjes së ashpër izraelite. Qindra mijëra njerëz strehohen në godina të rrënuara, presin lajme për dërgesën tjetër ushqimore ose një fije ujë të kripur nga tubat e banjës — një shans i rrallë për t’u larë.
Izraeli nuk lejon hyrjen e gazetarëve në Gaza. Zërat e banorëve përshkruajnë kulla të rrafshuara nga dhjetëra mijëra goditje, rrugë të mbuluara me mbeturina e ujëra të zeza, qiell të nxirë nga djegia e plastikës e druve dhe zhumë të pandërprerë dronësh mes shpërthimeve sporadike.
Furnizimi me energji varet nga gjeneratorë rruge, të lidhur me tela të ngatërruar, për këdo që mund të paguajë. Tregjet shfaqin pak mallra me çmime të kripura, shpesh të grabitura nga pak kamionë ndihmash që lejohen të hyjnë.
Spitalet dhe farmacitë nuk funksionojnë. Produktet e higjienës mungojnë. Banorët flasin për morra, mungesë vitaminash dhe dobësi nga uria, një krizë shëndetësore e hapur.
Natën, rrugët i patrullojnë bandat e armatosura dhe familjet marrin armë për t’u mbrojtur. Paratë hyjnë përmes kanaleve të paformale, por tërheqja kërkon komisione që arrijnë deri në 50% për ata që kontrollojnë qarkullimin.
Hamasi, dikur i dukshëm në çdo cep, është zhdukur nga syri i publikut. Zyrat politike e komisariatet janë rrënuar; luftëtarët fshihen. “Bastardët nuk kanë kontroll, nuk është si dikur… por ndonjëherë shfaqen papritur, nuk e di nga dalin,” thotë Abu Mohamed, banor i Gazës dhe kundërshtar i Hamasit. Ai shton: “Nuk kanë vende të caktuara ku mblidhen. Kanë mënyrat e tyre për të komunikuar e organizuar… ne nuk e dimë si e bëjnë.”
Kur në janar u arrit një armëpushim me Izraelin për lirimin e disa pengjeve, pjesëtarë të armatosur të Hamasit u shfaqën me uniforma në një shesh publik, sinjal se grupi ishte ende gjallë. Në javët pasuese, ceremonitë e planifikuara gjatë lirimeve të pengjeve zemëruan Izraelin deri në kërcënim me tërheqje nga marrëveshja.
Në një video të fundit të verifikuar, burra të maskuar brohorasin për Brigadat Al-Kassam, ndërsa paralajmërojnë “hajdutët dhe biznesmenët” që vjedhin ndihma. Një nën-grup i vetëquajtur “Al Rade’a” tha se u krijua nga aparati i sigurisë së Hamasit për të “detyruar” tregtarët monopolistë dhe bandat bashkëpunuese me Izraelin. Grupi pretendoi se ekzekutoi gjashtë persona muajin e kaluar në Khan Younis.
“Hamas nuk është një institucion statik,” shpjegon analisti ushtarak Alex Plitsas. “Filluan me një numër të caktuar luftëtarësh më 7 tetor, por me shkatërrimin e humbjet kanë rekrutuar dhe zëvendësuar njerëz.” Sipas tij, forca mbetet e pauniformë: “Veprojnë si një kryengritje e lidhur me një qeveri e zgjedhur në luftë dhe nuk luajnë sipas rregullave.”
Përgatitjet izraelite synojnë qytetin më të madh në veri, që kryeministri Netanyahu e quan një nga bastionet e fundit të Hamasit. Ushtrisë do t’i duhen rreth 60 mijë rezervistë shtesë dhe zgjatje shërbimi për 20 mijë të tjerë. Sipas një burimi izraelit, civilëve do t’u jepen afërsisht dy muaj për t’u evakuuar, me afat simbolik 7 tetor, dyvjetori i luftës.
Më 22 gusht 2025, ushtarë të IDF përgatitën tanke në kufirin me Gazën, tregojnë imazhet nga terreni. Një tjetër zyrtar ushtarak pranon se IDF nuk ka depërtuar thellë në Gaza City gjatë gati dy viteve të luftës. Pritet rezistencë nga një armik që ka pasur kohë të ngulitet nën tokë.
Rrjeti i tuneleve ,“metroja” e Hamasit , është shumë më kompleks se sa parashikoi IDF: qendra strategjike, degëzime dhe tunele taktike për lëvizje të shpejtë e pritë. Pasi qyteti të zbrazet, ushtria pritet të godasë një gamë më të gjerë objektivash urbanë, përfshirë zona që nuk janë goditur më parë për shkak të dendësisë civile.
Qeveri dhe organizata humanitare paralajmërojnë për operacionin e ardhshëm, duke ngritur shqetësime për viktimat civile, raportet për krime lufte, shkelje të të drejtave të njeriut dhe bllokadat e ndihmave ndër dy vitet e fundit.
“Teorikisht, ushtria mund të hyjë në çdo godinë, të pastrojë dhe të godasë tunelet,” thotë Plitsas. “E mundur? Po. Jashtëzakonisht e vështirë dhe kërkon shumë trupa? Edhe po.”