Qiellgërvishtës të rinj në Rrugën e Kavajës, ja se si po zhduken hapësirat e gjelbra

Tirana po mbushet me kulla të larta, ndërsa hapësirat e gjelbra dhe infrastruktura mbeten pas, duke rënduar jetën urbane dhe cilësinë e jetesës.

Qyteti ka ndryshuar pamje në mënyrë të pandalshme. Godinat e ulëta të viteve ’50 dhe ’60 janë zhdukur për t’i lënë vend ndërtimeve të pas viteve ’90. Sot janë kullat e larta ato që dominojnë panoramën e kryeqytetit, duke e bërë atë të duket gjithnjë e më shumë si një metropol i ngjeshur.

Lejet e ndërtimit për qiellgërvishtëse janë shtuar me qindra vitet e fundit. Ato janë dhënë edhe në zona shumë të populluara dhe pranë godinave qeveritare. Kjo ka krijuar një mjedis urban më kaotik se në fillim të viteve 2000.

Ndryshe nga ndërtimi, infrastruktura nuk ka ndryshuar në të njëjtën ritëm. Rrugët, transporti dhe shërbimet publike janë të njëjtat, ndërsa popullsia e Tiranës është rritur disa herë. Presioni mbi qytetin është rritur bashkë me ndërtimet, raporton Vox News.

Në këtë valë të re urbanizimi, shfaqet edhe një projekt tjetër gjigand. Ai do të ndërtohet përgjatë Rrugës së Kavajës, një nga zonat më të populluara dhe me qarkullim të lartë.

Projekti parashikon ndërtimin e dy kullave binjake me funksione të përziera. Firma e projektimit i ka prezantuar vizualet, duke e përshkruar kompleksin si një “organizëm të gjallë pranë bulevardit kryesor të Tiranës”.

Sipas përshkrimit të tyre, kompleksi ngrihet mbi një strukturë kolonash që lidhen me hapësirat publike dhe zonat e gjelbra përreth. Projekti prezantohet si një ndërthurje midis arkitekturës moderne dhe jetës urbane.

Brenda tij parashikohen hapësira tregtare, zyra, një hotel, njësi banimi dhe shërbime të ndryshme sociale dhe private. Sipas kompanisë, vendosja e tyre synon të krijojë përdorim të qëndrueshëm të hapësirës.

Në katet e larta do të ketë dyqane ekskluzive dhe një restorant panoramik. Prej andej, vizitorët do të kenë një pamje të plotë të kryeqytetit.

Firma ndërkombëtare e projektimit “Coldefy” ka bërë të ditur se klienti është kompania “glob3x.al”. Në faqen zyrtare të kësaj kompanie projekti është promovuar si i afërt me nisjen e punimeve.

Megjithatë, kompania nuk ka bërë publike nëse ka përfunduar procedurat e plota të miratimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Ndërkohë, ajo ka marrë më parë leje për projekte në zonën e “5 Majit” dhe në rrugën Zenel Bastari.

Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania menaxhohet nga Skënder dhe Visjan Dedja. Skënder Dedja ka qenë themeluesi i subjektit dhe aktualisht zotëron 49% të aksioneve, ndërsa 51% mbahen nga Visjan Dedja.

Ndërsa këto projekte vazhdojnë të shtohen, pyetja kryesore mbetet e njëjtë: kush po mendon për balancën midis ndërtimit dhe jetës urbane të shëndetshme? Tirana po rritet, por edhe tensioni në kualitetin e jetesës po rritet bashkë me të.

Ndaj Postimin: