Shqiptarët sillen çdo ditë si europianë, por mazhoranca vijon të qeverisë me mendësinë e para 35 viteve, thekson Jorida Tabaku para votimit të raportit të BE
Në prag të votimit të raportit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit të Çështjeve Europiane, publikoi një reagim të fortë në rrjetet sociale, ku akuzon qeverinë si pengesën kryesore në rrugën e integrimit europian të vendit.
Në mesazhin e saj, Tabaku vlerëson sjelljen e përditshme të qytetarëve shqiptarë si europiane – në punë, përpjekje dhe sakrifica – por thotë se ky përkushtim nuk mbështetet nga institucionet. Ajo thekson se vetë raporti i BE-së e cilëson Shqipërinë si një sfidë për demokracinë, për institucionet dhe për zgjedhjet e lira.
Tabaku liston një sërë problematikash të përmendura në raport, si presioni mbi administratën, blerja e votës, intimidimi i qytetarëve dhe përdorimi i burimeve shtetërore për qëllime elektorale. Për të, këto janë fenomene të papranueshme për Shqipërinë e vitit 2025, por që ende ndodhin.
Një tjetër shqetësim i theksuar është korrupsioni, të cilin ajo e quan një pengesë të përditshme për qytetarët, nga shërbimet bazë si shëndetësia, deri te prona dhe biznesi. “80% e shqiptarëve besojnë se korrupsioni i dëmton direkt jetën,” – deklaron ajo.
Sipas Tabakut, zgjidhja qëndron tek një qasje e re, me reforma reale dhe gjithëpërfshirëse që ndihen në ekonomi, në funksionimin e shtetit dhe të institucioneve demokratike. Ajo nënvizon nevojën për ekonomi që prodhon për të gjithë, dhe jo për një pakicë të privilegjuar.
Tabaku shpreh keqardhje që, edhe pas 35 vitesh nga rënia e diktaturës, Shqipëria nuk është në gjendje të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ajo kritikon fuqimisht përdorimin e partisë në pushtet për të kontrolluar çdo aspekt të jetës publike dhe elektorale.
Në përmbyllje, ajo thekson se Bashkimi Europian i sheh shqiptarët si qytetarë europianë, ndërsa qeverisja vijon t’i trajtojë me logjikën e të kaluarës. “Europa na sheh ndryshe. Qeveria, për fat të keq, ende na sheh me lupën e 35 viteve më parë,” përfundon Tabaku.