Qeveria prezanton ministrinë e parë virtuale për prokurimet publike

Edi Rama shpall krijimin e Ministrisë së Inteligjencës Artificiale për Prokurimet Publike, që do të drejtohet nga asistentja virtuale “Diella” e e-Albania.

Kryeministri Edi Rama ka bërë publik planin për një reformë të thellë në menaxhimin e prokurimeve publike, duke krijuar një ministri të re të drejtuar nga një ministre virtuale. “Diella”, asistentja e platformës e-Albania, do të marrë drejtimin e Ministrisë së Inteligjencës Artificiale për Prokurimet Publike.

Sipas Ramës, 95% e të gjitha procedurave të prokurimit do të kryhen nga Inteligjenca Artificiale, duke eliminuar ndërhyrjen e administratës publike në vlerësimin e ofertave. Përjashtim do të bëjë vetëm nënshkrimi final nga një zyrtar i autorizuar.

Kryeministri e cilësoi “Diellën” si anëtaren e parë të kabinetit qeveritar që nuk ekziston fizikisht, por funksionon si entitet virtual, me një strukturë mbështetëse të dedikuar për integrimin e AI në proceset qeverisëse. Sipas tij, ky hap synon të thyejë barrierat e frikës dhe paragjykimeve në administratë.

Vendimi për të kaluar tenderat publikë nën administrimin e AI u mor në mbledhjen e fundit të qeverisë “Rama 3”. Në mandatin e katërt, synimi është që prokurimet të bëhen plotësisht të pakorruptueshme dhe çdo transaksion të jetë 100% i lexueshëm për publikun.

Rama theksoi se ky projekt nuk është fantashkencë, por një detyrë konkrete e “Diellës”. Mandati i saj nuk do të ketë kufij gjeografik apo kombësie, ndërsa struktura mbështetëse do të ketë të drejtën të punësojë talente nga çdo vend i botës.

Kjo nismë shënon një precedent të ri në rajon, duke e pozicionuar Shqipërinë si një nga vendet e para që fut Inteligjencën Artificiale në nivel ministror për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur transparencën.

Ndaj Postimin: