Qeveria parashikon ulje të fondeve për arsimin deri në vitin 2028, jo më shumë se 2.1 për qind e PBB

Fondet publike për arsimin do të vijojnë të ulen gjatë viteve 2026 deri në 2028, sipas parashikimeve të buxhetit afatmesëm të qeverisë. Sipas të dhënave zyrtare, shpenzimet për arsimin do të bien si në raport me Produktin e Brendshëm Bruto ashtu edhe si pjesë e shpenzimeve totale buxhetore.

Sipas INSTAT, në vitin 2022 Shqipëria shpenzoi vetëm 2.9 për qind të PBB për arsimin. Për vitin aktual kjo shifër pritet të bjerë në 2.4 për qind, ndërsa në vitin 2028 fondet nuk do të kalojnë nivelin 2.1 për qind të PBB. Kjo do të thotë se ndërsa ekonomia rritet, pesha e investimeve në arsim zvogëlohet.

E njëjta tendencë vërehet edhe në raport me buxhetin total të shtetit. Në vitin 2025 arsimi përbën 7.5 për qind të buxhetit, ndërsa deri në 2028 kjo peshë pritet të ulet në rreth 7 për qind.

Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria mbetet dukshëm poshtë mesatares rajonale, që është rreth 3.9 për qind e PBB. Edhe brenda sistemit arsimor, ndarja e fondeve rezulton problematike. Arsimi fillor përfiton rreth 1.8 për qind të PBB, ndërsa arsimi i mesëm mbetet vetëm me rreth 0.4 për qind të PBB, krahasuar me mesataren 2 për qind në Bashkimin Evropian.

Shqipëria vijon të ketë mungesa serioze në infrastrukturën arsimore, laboratorë dhe pajisje teknologjike, por edhe vështirësi në garantimin e një cilësie të qëndrueshme të mësimdhënies. Ekspertët paralajmërojnë se ulja e fondeve do të pengojë përmirësimin e kushteve në shkolla dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor në vend.

Në një kohë kur vendet evropiane dhe ato të rajonit rritin vazhdimisht investimet në arsim, ulja e buxhetit të arsimit në Shqipëri pritet të thellojë edhe më shumë hendekun me standardet europiane.

Ndaj Postimin: