Qeveria miraton leje ndërtimi për të dënuarin e trafikut të drogës

Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, nën drejtimin e Edi Ramës, ka aprovuar dy leje të reja për pallate për kompaninë e lidhur me trafikantin e dënuar Fejzo Zekaj, duke rritur dyshimet për pastrim parash.

Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) zhvilloi më 26 mars 2025 një mbledhje ku miratoi 59 leje ndërtimi, kryesisht për kulla dhe resorte luksoze. Mes tyre, u aprovua edhe një leje për një godinë banimi dhe shërbimesh deri në shtatë kate mbi tokë, me dy kate parkim nëntokë, në Rrugën “Hamdi Sina” të Tiranës. Projekti do të realizohet nga kompania “Fz Construction” sh.p.k., aktive në zonën e Liqenit të Thatë.

Kjo kompani ka ngritur ndër vite një qytezë luksoze, e dyshuar se është financuar nga paratë e trafikut të drogës. Prokuroria e Tiranës ka mbyllur më herët një hetim pasuror ndaj saj, duke dhënë një arsyetim që ngjall habi dhe dyshime për ndërhyrje.

Në tetor 2024, e njëjta kompani përfitoi një tjetër leje ndërtimi në të njëjtën zonë. Pas saj fshihet Fejzo Zekaj, një person me të kaluar kriminale në trafikun e heroinës në Itali, me lidhje nga Bullgaria dhe Turqia.

Emri i Zekajt doli publikisht në vitin 2003, kur bashkë me një ortak bullgar, u kapën në një rrjet trafiku droge. Ai u dënua në Itali me shtatë vite burg nga Gjykata e Breshias, vendim që nuk e vuajti plotësisht falë ndërhyrjeve dhe korruptimit të autoriteteve shqiptare.

Zekaj ka shmangur dy herë ekstradimin në Itali, ka shpëtuar nga tre tentativa sekuestrimi pasurie dhe ka shndërruar aktivitetin e tij në një perandori ndërtimi në Farkë dhe Liqenin e Thatë, duke përdorur emrat e familjarëve për të fshehur pronësinë.

Kompleksi i vilave “White Hause” është pjesë e këtij imperiumi, ku janë injektuar miliona euro në formë kapitali të pakorigjuar nga burime të ligjshme. Skema është një rast tipik pastrimi parash përmes ndërtimit, pa asnjë fshehje të sofistikuar.

Historia e tij përfshin edhe një listë të gjatë ndërhyrjesh institucionale: nga urdhrat e paplotësuar të Interpolit për arrestim e deri te hetime të mbyllura me procedura të dyshimta nga prokurorë dhe gjyqtarë të lidhur me rastin.

Në vitin 2020, Zekaj iu nënshtrua kërkesës së Operacionit Forca e Ligjit për të justifikuar pasuritë, por dokumenti i dërguar u shpërfill plotësisht. Ai vijoi aktivitetin duke hapur një kompani të re, “FZ Group”, me qëllim ndërtimin e portave dhe kullave.

Megjithëse kjo kompani nuk ka përfituar ende leje të mëdha ndërtimi, “Fz Construction” sh.p.k ka kryer transaksione me vlera dhjetëra milionë euro, kontrata të dyshimta dhe skema të mundshme gjenerimi parash. Në disa prej tyre del edhe emri i një oligarku të fuqishëm, i lidhur me dosje të SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe trafik droge.

Fakti që një person me këtë profil vijon të marrë leje ndërtimi nga qeveria, ngre pyetje serioze mbi integritetin e institucioneve shqiptare dhe gatishmërinë e tyre për të luftuar pastrimin e parave.

Në vend që të zbatojnë ligjin, institucionet duket se lehtësojnë punën e atyre që kanë ndërtuar pasuri mbi trafikun e drogës, duke i hapur rrugë investimeve të dyshimta në zemër të Tiranës.

Në këtë mënyrë, mes luksit të kullave të reja dhe vilave milionëshe, fshihet një realitet i errët që lidh krimin e organizuar me politikën dhe ndërtimin në Shqipëri.

Ndaj Postimin: