Qeveria jep dritën jeshile: Lekaj-Fier me pagesë për 35 vite

Qeveria ka miratuar kontratën koncesionare për ndërtimin e segmentit rrugor Lekaj-Konjat-Fier, pjesë kyçe e Korridorit Blu, i cili përfshin 46 kilometra autostradë.

Me një investim prej 320 milionë eurosh, ky projekt do të zbatohet nga bashkimi i operatorëve ekonomikë kryesuar nga “Fusha” sh.p.k., në bashkëpunim me kompani të tjera si “Agbes Construksion”, “Albavia”, “Kupa” dhe të tjerë.

Segmenti rrugor Lekaj-Fier do të jetë pjesë e rrjetit të Korridorit Adriatiko-Jonian, njohur gjithashtu si Korridori Blu. Ky korridor shtrihet nga Sllovenia deri në Greqi dhe konsiderohet një nga projektet strategjike më të rëndësishme të Bashkimit Europian. Ndërthurrja e tij me territorin shqiptar synon të ulë kostot e transportit dhe të nxisë turizmin, si dhe shkëmbimet tregtare.

Kalimi në këtë autostradë do të bëhet me pagesë për të paktën 35 vite. Automjetet do të kenë mundësi të lëvizin me shpejtësi deri në 120 kilometra në orë, por për këtë do të duhet të paguajnë tarifën e qarkullimit. Ndërkohë, do të ofrohen rrugë alternative pa pagesë për banorët lokalë dhe lidhjen e zonave të banuara.

Projekti parashikon zgjerimin dhe rehabilitimin e autostradës ekzistuese, si dhe ndërtimin e 10 kilometrave të rrugëve krejtësisht të reja. Gjithashtu, do të realizohen 30 mbikalime dhe nënkalime për automjetet dhe këmbësorët, duke garantuar qarkullim të sigurtë dhe funksional.

Traseja e rrugës fillon pranë zonës së Luzit të Vogël, ku përfundon aksi Kashar-Lekaj, dhe mbaron në fillimin e Bypass-it të Fierit pranë Mbrostarit. Ky segment do të jetë një shtyllë kryesore në zhvillimin e infrastrukturës rrugore në jug të Shqipërisë.

Korridori Blu jo vetëm që do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve brenda vendit, por gjithashtu do të fuqizojë lidhjet rajonale. Ky projekt pritet të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik, duke kontribuar në modernizimin e transportit dhe përballjen me sfidat e logjistikës në nivel kombëtar e rajonal.

Vendimi i Këshillit të Ministrave për miratimin e kontratës së koncesionit ka ardhur me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë. Kontrata përmbledh projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit rrugor Lekaj-Fier, duke garantuar standarde të larta ndërtimi dhe siguri.

Implementimi i këtij projekti do të përfshijë bashkëpunimin e ngushtë mes sektorit publik dhe privat, duke ndjekur legjislacionin përkatës për partneritetet publik-private. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të jetë organi kryesor për zbatimin dhe mbikëqyrjen e kontratës.

Për shumë qytetarë dhe ekspertë të fushës, projekti i Lekaj-Fier përfaqëson një hap të rëndësishëm në drejtim të modernizimit të infrastrukturës kombëtare. Megjithatë, debati mbi tarifat e pagesës dhe ndikimin në kostot e jetesës mbetet i hapur, duke nënxitur diskutime mbi balancimin e interesave publike dhe private.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera