Qeveria italiane nuk po tërhiqet nga plani i saj, dhe javën e ardhshme pritet një tjetër transferim emigrantësh drejt qendrës së Gjadrit në Lezhë, sipas disa burimeve nga mediat italiane.
Kryeministrja Giorgia Meloni ka lajmëruar një mbledhje të rëndësishme të Qeverisë të hënën, ku do të kërkohet një zgjidhje e re, pas një vendimi të Gjykatës së Romës.
Meloni theksoi: “Problemi nuk është Shqipëria, por është një çështje më e madhe. Gjyqtarët po sugjerojnë se nuk ka vende të sigurta. Duhet të gjejmë një mënyrë për ta menaxhuar këtë situatë. Shpresoj që së shpejti të kemi një zgjidhje.”
Ndërkohë, emigrantët që u transferuan në Gjadër tre ditë më parë po kthehen në Itali, dhe Ministri i Drejtësisë Carlo Nordio e ka cilësuar vendimin e gjykatës si “anormal”. Ai tha se: “Reagimi ynë nuk është kundër drejtësisë, por kundër vendimit, me të cilin nuk jemi dakord.”
Nordio gjithashtu shtoi se nëse gjyqësori tejkalon kompetencat e tij, atëherë duhet të ndërhyjë politika, pasi vendimet e tilla duhet të reflektojnë vullnetin popullor. “Ne i përgjigjemi popullit, dhe nëse njerëzit nuk janë dakord, shkojmë në shtëpi,” tha ai.
Matteo Salvini, nga ana e tij, mbajti një mbledhje urgjente me Lidhjen, duke paralajmëruar se “kushdo që pengon mbrojtjen e kufijve, e vë vendin në rrezik.”
Edhe Ministri për Biznesin, Adolfo Urso, reagoi duke theksuar se vendimet politike duhet të reflektojnë qartë mandatin e dhënë nga votuesit. Sekretari i përgjithshëm i sindikatës UIL, Pierpaolo Bombardieri, gjithashtu komentoi, duke thënë se përplasjet mes institucioneve janë gjithmonë shqetësuese dhe mund të krijojnë sfida për demokracinë.
Ky është një problem ndërqeveritar dhe i ndëlikuar ku shumë palë duket se kanë rol. Ndërkohë në kontekstin e hapjes së negociatave me Shqipërinë, nuk është aspak e hijshme që një vend të shëebeje si qëndër izolimi pë emigrantët. Në termat e marrëveshjes mbizotëron pasiguria dhe kjo vihet re në sjelljen e palës italiane. Ende është e paqartë se si do të funksionojë marrveshja e cila në parim ngre shumë diskutime.
Për më tepër kjo vjen në një moment politik dhe ekonomik për Shqipërinë dhe Italinë, ku situata të tilla do të ishte e mira të evitoheshin.