Teksa në vend janë përhapur thashetheme se Shqipëria mund të shkojë drejt një qeverie teknike dhe në krye të saj të vendoset pedagogia dhe shkrimtarja Lea Ypi, Genc Gjokutaj, avokati i kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha, ka dalë publikisht kundër kësaj ideje.
Në një postim në rrjetet sociale, Gjokutaj shprehet se kjo tezë është një gjetje e kryeministrit Edi Rama për të tërhequr vëmendjen dhe për të krijuar konfuzion politik.
Sipas tij, një qeveri teknike nuk duhet dhe nuk mund të krijohet nga Rama, ndërsa roli i kryeministrit aktual në një proces të tillë duhet të jetë zero.
“Roli i Edi Ramës në krijimin e Qeverisë Teknike duhet të jetë zero, përveç pjesëmarrjes në marrëveshjen e palëve për krijimin e saj, e jo më të caktojë zonjën që përflitet në vend të tij!”, thekson Gjokutaj.
Avokati i Berishës ka edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për opozitën, e cila, sipas tij, duhet të jetë e qartë, e vendosur dhe e koordinuar, në mënyrë që të mos përsëriten “aksidente” politike, siç ishte rasti i Avokatit të Popullit.
Postimi i plotë i avokatit Genc Gjokutaj:
Të nderuar miq!
Legjenda më e re urbane është ajo që do të kemi Qeveri Teknike me kryeministre Lea Ypin dhe kjo po trumbetohet si një gjetje gjeniale e shokut të ngushtë të Belës, zotit Rama!
Të gjithë komentojnë, dikush pro e dikush kundër, por askush nuk i hyn thelbit të këtij karagjozllëku dhe kësaj aventure bajate të gatuar në kuzhinën e Surrelit!
Është e rëndësishme të kuptohet se Qeveria Teknike nuk mund të krijohet nga një kryeministër në prag të procedimit penal dhe janë pikërisht aferat korruptive të tij dhe të qeverisë së tij që e bëjnë të domosdoshme një Qeveri Teknike, me një marrëveshje politike, por domosdoshmërisht me një garantor ndërkombëtar, mundësisht amerikan!
Roli i Edi Ramës në krijimin e Qeverisë Teknike duhet të jetë zero, përveç pjesëmarrjes në marrëveshjen e palëve për krijimin e saj, e jo më të caktojë zonjën që përflitet në vend të tij!
Gjithsesi, në kushtet e një krize institucionale dhe nervore, KM Rama mund të tentojë për një gjë të tillë, por këtë e pamundëson së pari opozita dhe, mbi të gjitha, garantori ndërkombëtar, mungesa e të cilit e kthen procesin në farsë!
Opozita duhet të shfaqet e qartë, e vendosur dhe e artikuluar nominalisht nga të gjithë aktorët dhe faktorët e saj, me qëllim që të mos ndodhin “aksidente” si ajo me Avokatin e Popullit!
Rama dhe banda e tij po shemben dhe po shndërrohen në mbetje teknologjike të politikës korruptive, e cila nuk mund të riciklohet si lëndë e parë nga aktorë të importuar shqipfolës, pavarësisht karrierës domethënëse akademike dhe faktit që nuk kanë jetuar në Shqipëri vitet e fundit!
Sorosi është një kapitull i mbyllur në SHBA dhe nuk mund të qeverisë në Shqipëri. Manovrat e KM Rama, i cili kur mori porosinë e “hapjes së krahut” për Erion Veliajn nga Sekretari Blinken gjatë vizitës në Tiranë, nxori në lojë Nesti Angonin, nuk mund të vazhdojnë më!
Shqiptarët, si bij të shekullit të ri, nuk do të zhyten sërish në pellgun e mashtrimit për të vajtuar prapë këngën e trishtimit, siç do të thoshte Migjeni i madh.