Qëndrimet e papajtueshme Moskë–Kiev e largojnë perspektivën e paqes në Ukrainë

Edhe pse disa aktorë ndërkombëtarë shprehen optimistë, rruga drejt arritjes së paqes në Ukrainë vazhdon të jetë e vështirë dhe plot pengesa. Presidenti rus Vladimir Putin ka kundërshtuar çdo kompromis lidhur me Donbasin dhe ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e një armëpushimi për festat e Krishtlindjes. Kremlini ka qenë i prerë në qëndrimin se praninë e trupave të NATO-s në Ukrainë nuk do ta pranojë në asnjë formë.

Sipas deklarimeve të Kremlinit, qëllimi i Rusisë është arritja e paqes, por jo një armëpushim që do t’i siguronte Ukrainës kohë për të përgatitur vazhdimin e luftës.

Në anën tjetër, Donald Trump është shprehur se paqja është “më afër se kurrë”, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thekson se po zhvillohen negociatat më intensive që prej fillimit të konfliktit. Megjithatë, ndasitë mes palëve mbeten të mëdha.

Moska kërkon të ruajë kontrollin mbi Donetskun, Luganskun, Zaporizhian, Khersonin dhe Krimenë, ndërsa Ukraina e kundërshton njohjen e këtyre rajoneve si territor rus, në çdo rrethanë.

Zyrtarë të lartë rusë kanë theksuar se kompromisi për këto zona është i pamundur, ndërkohë që Zelensky ka deklaruar se Kievi nuk do t’i njohë Donetskun dhe Luganskun si pjesë të Rusisë, as de jure dhe as de facto.

Pas takimeve të zhvilluara në Berlin, Zelensky bëri të ditur se propozimet e reja do t’i dërgohen Moskës në ditët në vijim, ndërsa priten takime të tjera mes SHBA-së dhe Ukrainës për të diskutuar çështjet territoriale. Një tjetër element tensioni është ideja e përdorimit të fondeve të ngrira ruse për rindërtimin e Ukrainës, gjë që Rusia e deklaron si “vjedhje”. Në këtë klimë të ndërlikuar, burime evropiane shprehin dyshime për gatishmërinë reale të Moskës për të arritur një marrëveshje paqeje.

Ndaj Postimin: