Një shkollë biznesi në Marseille hap një qendër shëndetësore falas për 5 mijë studentë që përballen me mungesë fondesh dhe kohë.
Në Marseille, shkolla e menaxhimit dhe biznesit Kedge ka hapur një qendër të re shëndeti dhe mirëqenieje në kampus, ku studentët mund të konsultohen falas me mjekë. Shërbimi është aktiv që nga fillimi i vitit akademik dhe u inaugurua zyrtarisht të enjten, duke u bërë një ndihmë konkrete për rreth 5 000 studentët e institucionit.
Qendra ndodhet pranë hyrjes së kampusit dhe u ngrit pas një studimi të brendshëm, i cili tregoi se 64% e studentëve kishin hequr dorë nga kujdesi mjekësor për shkak të mungesës së parave ose kohës. “Ky ishte një sinjal alarmi,” thotë Tatiana Bornet, përgjegjëse e jetës studentore.
Sipas saj, shpesh ekziston ideja se studentët e shkollave të biznesit vijnë nga familje të pasura, por realiteti është shumë më kompleks. “Edhe këtu ka studentë në situata të brishta ekonomike,” thekson ajo. Për më tepër, 34% e tyre kanë kërkuar ndihmë psikologjike gjatë vitit të kaluar akademik.
Qendra ofron vizita falas tek mjekja e përgjithshme Marion Duran, e cila është e pranishme një pasdite çdo javë. Studentët thjesht rezervojnë një orar midis leksioneve. “Më vjen shumë për mbarë,” thotë Fanny, 19 vjeç, e cila përdori pushimin e saj mes mësimeve për të bërë një kontroll shëndeti.
Doktoresha Duran vëren se shumë studentë nuk kanë mjek të familjes në qytet dhe nuk arrijnë të gjejnë kujdes shëndetësor në kohë. “Edhe banorët e qytetit e kanë të vështirë të gjejnë termin. Për studentët që jetojnë larg familjes është edhe më e vështirë,” shpjegon ajo.
Në sallën e pritjes, Samy, 20 vjeç, i ardhur nga Saint-Étienne, tregon se më parë mundohej të kurohej vetëm me ato që kishte. “Këtu është një shans i madh. Konsultimet janë falas dhe kjo heq një barrë të madhe, sidomos për ne që kemi buxhet të kufizuar.”
Përveç mjekut të përgjithshëm, në kampus punojnë edhe dy psikologe, po ashtu falas. Psikologia Alexandra Heuzey tregon se kërkesat për mbështetje emocionale janë rritur ndjeshëm në dhjetë vitet e fundit. “Nga rreth 60 studentë në vit, sot flasim për 80 deri në 90 për çdo semestër, për çdo psikolog,” thotë ajo.
Së shpejti, qendrës do t’i bashkohet edhe një gjinekologe, për t’i dhënë studentëve një gamë më të gjerë shërbimesh shëndetësore të aksesueshme pa pagesë.
Kjo nismë jo vetëm synon shëndetin fizik dhe mendor të studentëve, por çon një mesazh të qartë: asnjë student nuk duhet të sakrifikojë shëndetin për arsimin.
Shkolla ka njoftuar se modeli i kësaj qendre do të shtrihet edhe në kampuset e tjera të Kedge, duke filluar me Bordeaux në shtator të vitit 2026.
Në një kohë kur jeta studentore është gjithnjë e më e shtrenjtë dhe presioni akademik sa vjen e rritet, hapja e këtyre qendrave është një hap drejt një sistemi më të drejtë dhe më të prekshëm për të rinjtë që përgatiten për të ardhmen e tyre profesionalе.


