Putin e quan të frytshëm samitin me Trumpin në Alaska

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se takimi me homologun amerikan në Alaska erdhi në momentin e duhur dhe ofroi bisedime të dobishme e të sinqerta.

Putin theksoi se ky nivel negociatash mes dy vendeve nuk ishte zhvilluar prej kohësh, duke e cilësuar të domosdoshëm rikthimin e dialogut të drejtpërdrejtë. Sipas tij, kontaktet e këtilla krijojnë mundësi për të adresuar çështje të mprehta ndërkombëtare.

Në komentet e tij, ai nënvizoi respektin për qëndrimin e administratës amerikane, e cila shprehet për një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive. Presidenti rus shtoi se edhe Moska do të dëshironte të shihte një zhvillim të tillë.

“Ne duam të ecim drejt zgjidhjes së të gjitha çështjeve me mjete paqësore. Ky është qëllimi ynë dhe një nga arsyet pse ky takim ishte i nevojshëm,” u shpreh Putin pas samitit.

Kreu i Kremlinit shtoi se diskutimet me Donald Trumpin ishin të hapura, të sinqerta dhe me përmbajtje konkrete, duke e përshkruar atmosferën si konstruktive. Ai la të kuptohet se ky kanal komunikimi mund të shërbejë për të shmangur tensione të mëtejshme.

Sipas raportimeve, takimi në Alaska shihet si një mundësi për të testuar gatishmërinë e të dyja palëve në gjetjen e pikave të përbashkëta dhe në frenimin e përshkallëzimeve që kanë rënduar skenën globale.

Ndaj Postimin: