Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka hapur dosje hetimore në 40 nga 61 bashki të vendit, duke e vendosur pushtetin vendor në një valë të gjerë verifikimesh për shkelje ligjore, kryesisht në procedurat e tenderimit.
Sipas të dhënave të deritanishme, 16 kryebashkiakë dhe ish-kryebashkiakë janë përballur me akuza, ndërsa disa raste kanë përfunduar me arrestime dhe dënime. Më i fundit që u dënua është ish-kryebashkiaku i Rrogozhinës.
Ndër çështjet më të fundit, SPAK ka zyrtarizuar akuzën ndaj ish-kryebashkiakut të Memaliajt, Golek Guci, ish-nënkryetares Edmonda Harizi dhe dy të pandehurve të tjerë, për shkelje në tenderimin e një ujësjellësi me fond limit 493 milionë lekë, që furnizon tetë fshatra dhe qytetin e Memaliajt.
Hetimet në nivel vendor kanë pasur si burim kallëzimet e kompanive humbëse në gara apo auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Tenderat për ujësjellësit dhe rikonstruksionin e rrugëve rezultojnë ndër akuzat më të shpeshta.
Sipas të dhënave, 21 bashki nuk kanë aktualisht dosje zyrtare në SPAK, ndërsa pjesa tjetër rezulton me hetime aktive, procese gjyqësore ose raste të mbyllura me vendim.
Në nivel administrativ, më të hetuarit janë shpesh anëtarët e komisioneve të vlerësimit të ofertave dhe zyrtarët që firmosin procedurat e tenderave.
Lista e bashkive nën hetim përfshin ndër të tjera Tiranën, Durrësin, Shkodrën, Fierin, Kukësin, Lezhën, Himarën dhe Elbasanin, ndërsa hetimet prekin çështje që variojnë nga tenderat publikë, lejet e ndërtimit, tjetërsimet e pronave, deri te akuzat për krime zgjedhore dhe dekriminalizim.
Rritja e numrit të dosjeve në pushtetin vendor tregon zhvendosjen e fokusit të hetimeve nga niveli qendror drejt administrimit lokal të fondeve publike.