Punonjësit e Portit të Vlorës pa paga prej gati dy muajsh, ngërç administrativ në drejtim

Punonjësit e Portit Detar të Vlorës ndodhen prej thuajse dy muajsh pa paga, pasi ende nuk kanë përfituar pagën e muajit dhjetor. Shkak për këtë situatë është bërë skadimi i kontratës së drejtuesit aktual të portit, i cili nuk ka më kompetencën e firmës për të kryer pagesat.

Sipas të dhënave, kontrata e drejtuesit të Portit të Vlorës ka përfunduar në muajin nëntor, periudhë në të cilën punonjësit kanë marrë edhe pagën e fundit. Për muajin dhjetor, pagesa që duhej të kryhej më 27 dhjetor nuk është ekzekutuar, ndonëse kanë kaluar rreth 18 ditë nga afati i parashikuar.

Porti Detar i Vlorës ndodhet nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Dyshohet se problematikat e fundit administrative brenda kësaj ministrie kanë ndikuar drejtpërdrejt në krijimin e ngërçit aktual në port.

Për të realizuar pagesat, kontrata e drejtuesit duhet të rinovohet ose duhet të emërohet një drejtues i ri, i pajisur me kompetencat e nevojshme për të firmosur dokumentacionin financiar. Aktualisht, nuk ka një njoftim zyrtar mbi zgjidhjen e kësaj situate.

Mungesa e pagave ka ndikuar drejtpërdrejt në jetesën e dhjetëra familjeve të punonjësve të Portit Detar të Vlorës, të cilat varen nga këto të ardhura për përballimin e shpenzimeve të përditshme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033