Një 35-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur shuma parash në lokalin ku ishte i punësuar. Rasti u zbulua pas kallëzimit të bërë nga menaxheri i biznesit dhe u dokumentua përmes pamjeve të kamerave të sigurisë.
Pas verifikimit të pamjeve filmike, policia identifikoi si autor të dyshuar shtetasin J.N., banues në Tiranë, i cili punonte si kamarier në ambientet e lokalit. Hetimet treguan se vjedhja ishte kryer një ditë më parë gjatë orarit të punës.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj 35-vjeçarit, shërbimet e policisë i gjetën dhe i sekuestruan një pjesë të shumës së vjedhur, e cila u administrua si provë materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.