Një punonjës policie në Kukës, me detyrë Shef i Logjistikës, është arrestuar në flagrancë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi ka shkaktuar një aksident rrugor në aksin Milot Morinë, ndërsa drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:00. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar pasagjerët e automjetit tjetër, mes tyre një grua dhe dy fëmijë të mitur, të cilët janë transportuar në Spitalin e Traumës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Nga testimi me aparat matës ka rezultuar se punonjësi i policisë kishte nivel alkooli 1.00 mg për litër dhe 0.98 mg për litër, duke konfirmuar se mjeti drejtohej nën efektin e alkoolit.
Ndaj efektivit rëndojnë veprat penale drejtim i automjetit në gjendje të dehur dhe shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.